MENU
klinika

"Exil" në kinema

Mediet gjermane: Filmi shqiptar vesh lëkurën e racizmit…

18.08.2020 - 17:53

      Regjisori shqiptar nga Kosova, që jeton në Gjermani, me filmin e tij “Exil” është bërë temë e shumë shkrimeve të shtypit gjerman. Për filmin shqip është shkruar edhe më parë me superlativa, por publiciteti më i madh aktual lidhet me faktin se, më 20 gusht do të fillojë të shfaqet në rrjetin e kinemave në Gjermani.

Regjisori Visar Morina, është i njohur për publikun gjerman dhe atë ndërkombëtar, me filmin tjetër të suskseshëm: “Babai”. Mediet shqip të diasporës kanë përcvjellë fragmente nga shkrimet e ndryshme në Gjermani, si Kultur.de; pointer.de etj., mbi subjektin e filmit.

Xhaferi është një inxhinier farmaceutik 45 vjeç, i cili ka lindur në Kosovë dhe tani jeton në Gjermani. Ai është i martuar me gjermanen Nora (Sandra Hüller) dhe kanë bashkë tre fëmijë. Filmi na tregon jetën e tij të përditshme, që merr një kthesë të papritur në momentin kur ai gjen një mi të ngordhur në portën e tij.

Ky gjest për të është fare qartë, me motiv racist. Kështu, ai fillon të shohë racizmin pas të gjitha problemeve të tij dhe gradualisht, dukie u bërë paranojak, largon familjen dhe miqtë. A është i arsyeshëm shqetësimi i tij? Apo ndoshta është vetë fajtor, për situatën ku gjendet?

E gjitha, është një udhëtim i errët në mendjen e një njeriu që ndjen se po trajtohet padrejtësisht nga bota që e rrethon. Me këtë rast, regjisori Visar Morina dhe ekipi i tij, arrijnë ta ngjallin empatinë e audiencës, përmes këtoj personazhi.

Në rolin e Xhaferit, interpreton aktori i njohur gjerman me prejardhje kroate, Mišel Maticevic. Këtu, personazhi i tij ka detyrën që dashamirësit mesatarë të kinemasë t’i bëjë të kuptojnë një njeri në një situatë në të cilën, ata vetë nuk do të jenë kurrë… Nga ana e tij, Maticevic e menaxhon shumë mirë këtë, duke krijuar realitetin e një njeriu delirant, të cilin, e kemi të vështirë ta kuptojmë. Gruaja e tij, Nora, në një farë mënyre është në të njëjtën situatë ku gjendet edhe vetë shikuesi.

“Exil” është një projekt ambicioz, që adreson në një mënyrë jo konvencionale çështje serioze, si racizmi dhe ngacmimi (mobingu). Dilema e ngatërruar mes racizmit të vërtetë dhe paranojës, e përshkon thuajse të gjithë filmin. Duket se vetë regjisori Morina, e njeh më së miri këtë fushë: përvojat e tij personale me racizmin që përjetohet në përditshmëri gërshetohen në film. Ai tregon sesi racizmi dhe paranoja, shkojnë krah për krah dhe ushqejnë njëri-tjetrin.

Megjithatë, filmi mund të kritikohet për faktin se, duke qenë në thelb, një histori rreth racizmit, kthehet në një histori që rrezikon të relativizohet. “Exil”, nuk është një film për të ndier kënaqësinë estetike. Më shumë sesa i tillë, filmi është një përvojë kërkuese që mund ta bëjë shikuesin, të ndihet aspak këndshëm.

Por, kjo është arsyeja pse, pa dyshim, ia vlen ta shihni në kinema!.. Mbyllen kështu, të gjitha shkrimet me në vëmendje filmin shqiptar që rreket t’u tregojë gjemanëve, anën tjetër të medaljes së shoqërive… /Konica.al