MENU
klinika

Nga The Guardian

Kaosi me emigrantët vazhdon dhe BE nuk po ”zgjohet”!

22.09.2020 - 16:34

Marrëveshja e vitit 2016 midis BE dhe Turqisë dhe mbyllja e rrugës ballkanike perëndimore, frenoi fluksin masiv të refugjatëve sirianë drejt Evropës. Por historia nuk mbaroi këtu.

Në vitet që nga ajo kohë, pavendosmëria e Evropës në çështjen e migracionit masiv ka bërë që vendet anëtare të BE-së në kufirin e jashtëm të Evropës të rivendosin kontrollin mbi kufijtë e tyre duke përdorur forcë dhe duke shkelur ligjin.

Komisioni Evropian nuk ka praktikisht asnjë mbikëqyrje të asaj që ndodh vërtet.

Ndërkohë dhuna mbretëron në kufirin e jashtëm. Rrahjet dhe torturat, dëbimet dhe paragjykimet racore, po shkatërrojnë parimet morale të Komunitetit Evropian.

Këtë shtator, evropianët kanë një mundësi të shpejtë për të bërë diçka më të mirë ndërsa komisioni evropian shqyrton nëse duhet të vendosë një mekanizëm të pavarur të monitorimit të kufirit. Por së pari, ne duhet t’i kujtojmë vetes pse një instrument i tillë është i nevojshëm.

Deri në vitin 2016, Hungaria tashmë kishte vendosur një sistem të zonave tranzite që funksiononin jashtë fushës së ligjit të BE-së. Migrantët dhe azilkërkuesit u sulmuan, u kthyen në zonat e caktuara, iu mohua ushqimi dhe në shumë raste u dëbuan pa procedura ligjore.

Pretendimet për dhunë sistematike, të organizuar dhe kthime mbrapa nga policia kufitare e Kroacisë janë bërë publike vazhdimisht.

Në Mesdhe, autoritetet italiane dhe malteze frenuan kalimet përmes Mesdheut qendror.Këtë vit Greqia u kritikua ashpër për dëbimet e parregullta të mijëra migrantëve nga kufijtë e saj territorialë dhe detarë drejt Turqisë.

Kryeministri grek i ka karakterizuar këto akuza si “keqinformim”, por provat dhe raportet në rritje janë konsideruar të besueshme nga agjencia e KB për refugjatët.

Sistemi i vendosur nga komisioni për të ndihmuar vendet anëtare në kontrollin e kufirit – drejtuar nga Frontex – është përballur me mangësi sistematike të përsëritura në sigurimin e mbikëqyrjes së nevojshme.

Në letër, Frontex duhet të jetë në gjendje të sigurojë një pasqyrë reale të asaj që ndodh në terren, por sistemi i tij i raportimit, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, nuk ka qenë efikas. Për më tepër, mungesa e raporteve shpesh është paraqitur si provë se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme.

Lidhur me këtë çështje gjatë një takimi në parlamentin Evropian në 6 korrik, komisionerja e BE për punët e brendshme, Ylva Johansson, u përgjigj se komisioni nuk kishte autoritetin për të hetuar pretendimet në lidhje me shkeljet në kufijtë e jashtëm.

Por ajo shtoi se ishte koha e duhur “për të shqyrtuar nëse ne gjithashtu duhet të vendosim një mekanizëm të ri për të monitoruar dhe verifikuar raportet e kthimeve mbrapa”.

Koha është, me të vërtetë, e duhura.

Më 23 shtator, Komisioni po përgatitet të publikojë një propozim të ri për të rregulluar pritjen e migrantëve dhe azil të BE-së. Dhe nëse kjo realizohet, një mekanizëm i ri për monitorimin e kufijve dhe të gjitha përshtatjet e nevojshme të mjeteve ligjore përkatëse mund të lehtësohen brenda këtij propozimi.

Frontex nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Agjencia ka dështuar të ofrojë një sistem të fuqishëm monitorimi ndërsa rritet me një ritëm të shpejtë dhe komandon një buxhet të madh të BE.

Ky mekanizëm i pavarur monitorimi duhet të bazohet në institucione kombëtare tashmë ekzistuese dhe vërtet të pavarura.

Kërkesa për një mekanizëm të pavarur monitorimi mund të tingëllojë burokratike. Dhe nuk do të ishte një zgjidhje përfundimtare e krizës.

Por vitet e mia të raportimit për këtë e kanë bërë të qartë se Evropa ka nevojë për një organ të besuar për të rivendosur sundimin e ligjit.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me regjistrimin e shkeljeve ose mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke e bërë policinë kufitare të përgjegjshme.

Ka të bëjë gjithashtu me ndalimin e abuzimit politik dhe armatimit të migracionit si një çështje nga BE dhe vendet e palëve të treta.

Kjo do të ndihmonte evropianët të rishkruajnë kufijtë demokratikë brenda të cilëve mund të ushtrohet pushteti ekzekutiv.

Kriza ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe komisioni duhet të ndalojë të mbyllë sytë për atë që ndodh në kufijtë e saj. Koha që Johansson të veprojë është tani.

Apostolis Fotiadis është një gazetar i pavarur që shkruan për migrantët, të drejtat, konfliktet etnike dhe lëvizjen e popullsisë në Ballkan.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Gjermania, qendra e Bashkimit Europian"

Evropa në duart e pasardhësve të Merkelit…

Kadare dhe intelektualët paralajmërojnë

“Evropa do të zhduket nën dallgët e populizmit”


Demokratët bëjnë analizën e humbjes në zgjedhje!

Arsyet pse Kamala Harris nuk fitoi garën presidenciale

Shpenzime marramendëse dhe dështim zgjedhor

Si u shpenzuan 1.6 miliardë dollarë në fushatën e Harris

Nga “Marco i vogël” në Sekretar Shteti në SHBA

Çfarë e pret Berlinin e Brukselin nën një mandat të Rubios?