MENU
klinika

Festival, grua, poezi

“Zana”, Mitrovica shkrin kufijtë…

23.09.2020 - 17:26

       Pikërisht, qyteti që bashkon veriun me jugun, sjell “paqe” përmes artit. Çdo “shkëndijë” nacionaliste, jo rrallë është pasuar në jetë, me problematika në relacionet e ndërsjella. Mirëpo, ajo që gjithmonë ka qenë pikëtakim i palëve ka qenë arti, duke bërë që qëllimet, gjuhët dhe kombet të shkrihen në frymëzime e krijime artistike.

Këtë po e mundëson festivali i letërsisë ‘’Zana’’, i cili përmes edicionit të parë të organizimit që po vjen në muajin tetor, po shton vlerë kulturore në qytetin e lumit Ibër, sipas medieve lokale.

Festivali, organizator i së cilit është Fondacioni Dhemetra, përveç largimit të barrierave ndëretnike, ka mision edhe promovimin e gruas.

Ashtu siç shprehet organizatorja e festivalit, nëpërmjet këtij organizimi po synojnë që përmes poezisë, grave dhe artit, të krijojnë lidhje dhe komunikim brenda komuniteteve të Mitrovicës.

‘’Festivali “Zana” për herë të parë do të sjellë komunikimin ndëretnik përmes letërsisë me fokus në poezi, ku do të reflektohet, debatohet dhe mësohet roli i gruas i portretizuar në poezinë shqipe, si dhe atë serbe, të kultivuar gjatë dekadave të fundshekullit të kaluar’’ – shprehet organizatorja, Nora Prekazi Hoti.


Emri i këtij festivali, veç veçantisë, mbart një kuptim të thellë. Përveç, si frymëzim për shumë libra, filma dhe krijime artistike, ‘’Zana’’ brenda vetes është frymëzim dhe i tillë ka qenë edhe për këtë festival.

Krijimtaria e autorëve shqiptarë dhe serbë, nga qyteti i Mitrovicës, do të jetë nikoqire e Festivalit ‘‘Zana‘‘, kështu duke u shpalosur frymëzimet, mënyrën e të shkruarit dhe stilin e veçantitë e tyre.

Fahredin Gunga, Jakup Ceraja, Latif Berisha, Muhamed Kerveshi, Bedri Hysa, Valdeta Vukovic, Lazar Vuckovic, Darinka Jevric janë disa nga emrat, veprat e të cilëve do të zenë vend në edicionin e parë të këtij organizimi.

Bashkimi për promovimin ndër etnik dhe për gratë ka ardhur pikërisht nga nismëtaret, të cilat u takojnë të dy grupeve që po i japin vëmendje këtij festivali. Organizatoret, përveçse janë gra, u përkasin dy etnive brenda këtij qyteti.

‘’Festivali i letërsisë, “Zana”, në Mitrovicë, organizohet nga një grup grash nga dy anët e qytetit, që e duan fjalën e shkruar, si dhe gjitha format e tjera të artit, të kultivuara në qytet’’ – shpjegon drejtoresha e Fondacionit Dhemetra, Nora Prekazi Hoti.

Përveç bashkimit ndëretnik, ky Festival tutje synon të shndërrohet në një mundësi të përvitshme ku do të performojnë artistë të ndryshëm nga e mbarë bota. Ndërkaq misioni i këtij viti mbetet krijimi i urave të përbashkëta për fjalën.

‘’Si qytet i urave, përmes këtij festivali do të synojmë të lidhemi përmes fjalësh. Andaj, slogani kyç i këtij edicioni, do të jetë “Bridging the words” – tregon Nora.

Festivali do të çelet me dy mbrëmje poetike dhe një panel diskutimi, që sërish, do të ketë fokus gruan.

“Do të mbahet një panel diskutimi, me temën “Roli i grave i portretizuar në poezitë e përzgjedhura për lexim” me pjesëmarrës: Eli Krasniqi, Sibel Halimi, si dhe Aleksandar Dunderin”  – thekson Hoti.

Ndërkaq vendtakimi i artistëve nuk do të mbetet vetëm letërsia, edhe artet pamore do të zënë vend në këtë Festival.

‘’Përveç kësaj është paraparë që të punohet një mural me tematikë gjinore në hapësira publike të Mitrovicës, si dhe përfundimisht do të botohet një përmbledhje me poezitë e autorëve të përzgjedhur në këtë edicion’’ – shprehet organizatorja e festivalit ‘’Zana’’.

Mirëpo, publiku kësaj radhe nuk do të ketë mundësinë të takojë fizikisht thellësinë e ambientit poetik e as të panelit, si pasojë e covid-19, dhe këto mbrëmje do të organizohen online.

Ky festival që vjen në muajin tetor, do të promovojë gruan në qarqe ndëretnike e letrare, si një nismë e re për jetën kulturore të Mitrovicës.

Trafikantit shqiptar që njihet si ‘Zot i Drogës’

Gjendet i vdekur krahu i djathtë i Elvis Demçes

“Festojmë me krenari bashkë me ju!“

Ambasada e SHBA dhe sekretari Blinken urojnë shqiptarët

“Kjo ngjarje ka gjithnjë të njëjtin emocion!“

Kurti uron 112-vjetorin e Pavarësisë

“Nga Sheshi i Flamurit, te Kalaja e Rozafës”

Rama uron shqiptarët për 112-Vjetorin e Pavarësisë