MENU
klinika

Ikin 7 titullarë brenda 10 ditësh

Çpo ndodh me Kukësin? Eksod largimesh

28.09.2020 - 13:17

Janë vërtet të çuditshme largimet që po ndodhin këto ditë, kur në fakt pritej të niste sezoni i ri futbollistik. Radha për lamtumirë nga verilindorët e drejtuar nga Skënder Gega iu ka ardhur sot Enis Gavazajt dhe Emiliano Mustës.

Pas Telushit dhe Obanor, dy titullarë të tjerë, me shumë kontribut te nënkampionët e vendit, i ndajnë rrugët me Kukësin, pas takimit me presidentin. Ja njoftimi i Kukësit:

“Enis Gavazan nuk është më pjesë e Kukësit! Sulmuesi nga Prizreni ka mbyllur sot aventurën e tij me skuadrën tonë. Presidenti i klubit dhe sulmuesi Gavazaj kanë pasur një takim me njëri-tjetrin dhe më pas kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin.

Kontrata e Gavazajt përfundonte verën e ardhshme, megjithatë palët kanë shtrënguar duart duke ndërprerë kontratën para kohe. Klubi ynë e falënderon Enis Gavazajn për kontributin e dhënë me fanellën e Kukësit dhe i uron suksese në të ardhmen. Faleminderit Enis!”

Po sot, më herët, edhe Emiljano Musta ka zyrtarizuar “divorcin” me Kukësin. Klubi e ka bërë publik vendimin: “Emiljano Musta nuk është më pjesë e Kukësit! Mbrojtësi nga Elbasani ka mbyllur sot aventurën e tij me skuadrën tonë.

Pas një diskutimi mes klubit dhe futbollistit, u arrit marrëveshja për zgjidhjen e kontratës. Klubi i Kukësit e falënderon Emiljano Mustën për kontributin e dhënë me fanellën e Kukësit dhe i uron suksese në të ardhmen. Faleminderit Emiljano!”

Vetëm një javë më parë u larguan edhe Kristal Abazaj, Eduart Roca dhe Besar Musolli, të tre titullarë të tjerë në radhët e Kukësit. Çpo ndodh te Kukësi vallë, pse ky eksod? Çështje financash apo diçka tjetër? Këto pyetje vetëm drejtuesit mund t’u përgjigjen…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN