Pritet të hapë dyert e teatrove, madje shumë shpejt. Por, frymëzimi artistik, nuk pret radhën apo kohën e duhur… Në kryeqytetin tjetër shqiptar, mbrëmja e djeshme shënoi një kulminacion artistik. Ferri u shfaq para syve të shumë të pranishmëve, në dimensione njerëzore./Konica.al
U cilësua si e jashtëzakonshme, shfaqje e mbrëmshme në Parkun e Prishtinës, në atmosferën që shkon kundër çdo veprimtarie sociale dhe kulturore.
“Ferri”, nga regjisori dhe njëkohësisht organizator, Kushtrim Mehmeti, bazuar në veprën e “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit, ua mundësoi një grupi të vogël shikuesish prej 50 personave, të shikonin nga afër shfaqjen, pa shpërfillur gjithsesi as masat kundër covid-19.
“Pothuajse 3 muaj kjo shfaqje po përgatitet në ambiente të hapura, nga pamundësia për t’i realizuar ato në teatro. Lindi ideja që kjo shfaqje të ngjallë situatën, duke e shfaqur atë tek audienca në alternative tjetër, pra në mjedis të hapur”
Mehmeti ka thënë për mediet vendase, se do përgatisin edhe shfaqje të reja, po në këtë mënyrë, për publikun.
“Ne do të vazhdojmë të krijojmë shfaqje të tilla në këtë mënyrë, nëse teatrot vazhdojnë të jenë të mbyllur”.
Shfaqja u përcoll dhe u cilësua si e realizuar mjaft mirë, ndërsa ky shënon një rikthim të publikut, ndonëse jo ende në teatër.