Kombëtarja shqiptare do të luajë sot (20:45) ndeshjen e tretë për Ligën e Kombëve. Shqipëria duhet medoemos që të marrë rezultat pozitiv ndaj Izraelit në transfertë, përndryshe do të jetë pjesë e vazos së katërt për shortin e “Euro 2020”, që do të hidhet në fillimin e dhjetorit.
UEFA ka vendosur prej kohësh që të marrë për bazë renditjen në Ligën e Kombeve për të ndarë vazon dhe Shqipëria aktualisht e sheh veten në vazon e katërt. Kuqezinjtë, në bazë të rezultateve të deritanishme në turne, mbajnë vendin e 34-t në Ligën e Kombeve.
Për të qenë në vazon e tretë, të cilën e fituan me mund gjatë drejtimit të De Biasit, duhet që ekipi të jetë mes vendeve 25-30, pra 6 skuadrave më të mira të Ligës C.
Kjo arrihet vetëm duke fituar grupin, apo duke qenë mes 2 të dytave më të mira në të katër grupet e ligës C, me pikë të siguruara dhe me golavarazh. Bilanci aktual nuk është premtues, pasi edhe në “minirenditjen” e vendeve të treta, jemi të dytët pas krahëve të Hungarisë, që ka të njëjtën kuotë pikësh dhe golavarazhin -1, si ne, por ka shënuar 2 gola, kundrejt 1 të kuqezinjve.
Golavarazhi pritet të jetë shumë vendimtar, ndaj për të evituar vazon e katërt, nevojitet jo vetëm që të merret rezultat ndaj Izraelit, por edhe të shënohen gola.
Në rast humbjeje, sido që të ndahet sfida me Skocinë, vazoja e katërt duket e prenotuar nga kuqezinjtë, të cilët kësisoj do të kishin një short shumë më të vështirë përpara në rrugëtimin drejt Europianit.
Izraelitët do të kërkojnë të hakmerren për humbjen 1-0 të pësuar në ndeshjen e parë të Nations League të luajtur në Shqipëri dhe për atë 3-0 të pësuar në shtëpi në qershorin e 2017-ës. Problemi kryesor i Izraelit ka qenë shënimi i golave, me ndeshjen kundër Skocisë që ka qenë e para që nga marsi i 2017-ës ku ata kanë shënuar dy herë në të njëjtën ndeshje.
Golat janë një problem edhe për kuqezinjtë. Në fakt, Shqipëria ka shënuar vetëm dy gola në gjashtë ndeshjet e fundit. Gjithashtu, ata kanë shënuar 3 ose më shumë gola në vetëm 3 nga 25 ndeshjet e fundit, me dy nga këto ndeshje që kanë ardhur në transfertë, duke përfshirë këtu edhe triumfin 3-0 të marrë në fushën e Izraelit.
Parë në shifra financiare, Izraeli kuotohet në vlerën e 48 mln euro, të paktën sipas faqes së specializuar për transferime, “Transfermarkt”. Ndërkohë Shqipëria ka një vlerë më të lartë, me rreth 68 mln euro, po sipas kësaj faqje.
Edhe pse u provuan disa lojtarë të rinj pak ditë më parë në ndeshjen miqësore mes Shqipërisë dhe Jordanisë, në formacionin e titullarëve pritet të rikthen shumë nga lojtarët që nuk luajtën në atë ndeshje.
Hysaj, Basha dhe Memushaj pritet të jenë që nga minuta e parë. Porta pritet t`i besohet Thomas Strakoshës, që u la pushim ndaj Jordanisë, sakaq Mavraj dhe Gjimshiti pritet të mbajnë peshën kryesore në qendër të mbrojtjes, Hysaj në krahun e djathtë ndërsa Binaku ka një “sfidë” me Lenjanin, pasi ky i fundit dha sinjale pozitive në ndeshjen kundër Jordanisë.
Në mesin e fushës Xhaka dhe Basha pritet të jenë që nga minuta e parë e lojës, pasi nëse trajneri do të veprojë me 4-2-3-1, ata janë lojtarët më të mirë të mundshëm për të bërë lidhjen mes mbrojtjes dhe mesit të fushës.
Në treshen kryesore të mesfushës pritet që Grezda të jetë titullar i padiskutueshëm, ndërsa në qendër Memushaj dhe në krahun e djathtë mbetet Gavazaj. Ndërsa sulmi pritet t’i besohet Rey Manajt, edhe pse Bekim Balaj është gjithashtu në formë të mirë.
Nisur nga ato që u deklaruan nga vetë lojtarët pas ndeshjes miqësore me Jordaninë, gjasat janë që Shqipëria të rreshtohet me një tjetër skemë, ndoshta me 4-2-3-1, duke parë edhe nivelin e kundërshtarit. Kështu trajneri Panucci do të ketë më shumë mundësi të kontrollojë prapavijnë por njëkohësisht, kjo është dhe skema që i dha fitoren në ndeshjen e parë ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”.
Statistika
– Në tri ndeshjet direkte të zhvilluara mes këtyre dy skuadrave janë regjistruar nëntë kartonë të verdhë dhe dy të kuq.
– Izraeli ka marrë një karton të verdhë ose më pak në shtatë nga dhjetë ndeshjet e fundit.
– 61 për qind të golave të shënuar nga Shqipëria në dhjetë ndeshjet e fundit kanë ardhur në pjesën e dytë.