Ai shpesh pohonte se ishte gjeni. Salvador Dali, është një nga piktorët më të mëdhenj të shekullit XX, gjithashtu shkrimtar, kineast, polemist, teoricien, autor i një numri të madh artikujsh dhe pafundësie librash.
I lodhur nga sëmundja e Parkinsonit, ai kishte vite që nuk punonte. Ekspozita e 20 nëntorit 1920 në Galerinë “Geomans”, shënon dhe datën e njohjes së tij në Paris. Dali ishte aso kohe një djalosh i ri 25 vjeçar, i cili kishte vizituar Parisin vetëm dy vjet më parë prej ku kishte takuar dhe Pikason.
Ai është i njohur si “surrealisti kokëkrisur ” dhe i pari që e priti krahëhapur lëvizjen e tij surrealiste ishte Andre Breton që besoi në artin e tij midis reales dhe imagjinares, jetës dhe vdekjes apo të shkuarës dhe të ardhmes.
Por si do të mundej më 1929, t’i bënte vend vetes, një artist i ri përballë një gjeniu të madh të kohës si Pikaso? Kjo pyetje e brente Dali-në gjithë kohën. Përgjigjen e kemi marrë. Do të ishte krijimi I një personazhi publik me anë të deklaratave, ekzagjerimeve, mistifikimeve si ajo që pretendonte se: Stacioni i trenit në Prepigan është qendra e universit. Dhe shumë të tjera si këto, të gjitha në sfondin e një metode Paranoiake-Kritike.
Në atë kohë nuk kishte asgjë që mund të lidhte Pikason me Dali-në. Njëri shkatërrues i madh në pikturë i figurës njerëzore, tjetri, vazhdues i zellshëm i traditës.
Kështu, në respekt të këtij arti të traditës, ekspozita e Dali-së në qendrën “Zhorzh Pompidu” në dimrin 1979-1980, mbledh një milion vizitorë dhe asnjë piktor në të gjallë të tij. Të gjitha këto duke marrë parasysh klouneritë, mbështetjen ndaj regjimit të Frankos, si edhe kritikën mjaft të rezervuar edhe armiqësore.
Megjithatë, Dali nuk mund të quhet në asnjë mënyrë një piktor passeist (nostalgjik). Në kohën e surrealizmit, edhe pse Frojdi i quan “tërësisht të çmendura”, metamorfozat dhe anamorfozat shprehin instiktin e vdekjes. Më vonë pluskimi në ajër që bëjnë personazhet e tij gjatë periudhës së “misticizmit atomik” do të flasë për një besim mjaft të afërt me spekulimet e fizikës moderne, e cila tashmë është shkëputur nga determinizimi i materies.
Kur ishte gjallë, Dali, irritonte, skandalizonte në atë masë sa personazhi i krijuar prej tij arriti të eklipsonte rëndësinë e veprës piktorike.
Ka ardhur koha tashmë, e rivlerësimit të kësaj vepre në gjithë gjerësinë e saj.
I.A