Punimet për ndërtimin e gazsjellësit trans Adriatik kanë përfunduar, 4 vjet e gjysmë pas fillimit të tyre, njofton zyrtarisht konsorciumi. Tubacionet janë mbushur me gaz që nga seksioni në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë e deri në Puglia të Italisë. Në ditët dhe muajin në vijim, “Tap” do të jetë e fokusuar në përgatitjen për nisjen e operacioneve tregtare të transportit të gazit. Në mes të nëntorit ndërkohë pritet që të bëhet edhe lidhja mes gazjellësit TAP dhe rrjetit europian në Puglia, që më pas do të mundësojë edhe transportin e gazit natyror drejt Europës.
Projekti shihet si me rëndësi strategjike për Europën pasi do të ulë ndjeshëm varësinë ndaj gazit rus. Edhe për Shqipërinë, gazsjellësi transadriatik do të ketë një peshë të madhe, pasi veç forcimit të pozitave tona gjeostrategjike do të mundësojë edhe aksesin më të kollajtë dhe më të lirë në gazin natyror azer. Por, nga ana tjetër, Shqipëria do të humbasë burimin kryesor të flukseve të investimeve të huaja direkte në vendin tonë gjatë 5 viteve të fundit. “Tap” do të transportojë gaz nga fusha e Shah Deniz II, është 878 kilometra i gjatë dhe lidhet me gazsjellësin trans-anatolian (TANAP), në kufirin turko-grek, kalon përmes Greqisë dhe Shqipërisë, për të përfunduar në brigjet e Puglias në Itali.
Njoftimin e “Tap” e ka shpërndarë edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila nënvizon se projekti është strategjikisht i rëndësishëm, duke e bërë Shqipërinë pjesë integrale të arkitekturës rajonale të energjisë së diversifikuar. Energji baraz me diversifikim, baraz me zgjedhje, baraz me siguri, baraz me pavarësi, mbyll ambasadorja amerikane në Shqipëri deklaratën e saj.