Filmi “Tomka dhe shokët e tij” me regji nga Xhanfise Keko, do të shfaqet në televizionin amerikan.
Mbi 40 milionë shikues do të ndjekin sot versionin e restauruar të filmit “Tomka dhe shokët e tij”, mundësuar nga Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP) dhe Biblioteka e Kongresit Amerikan.
36 vjet pas prodhimit të tij, filmi aq i dashur për publikun shqiptar “Tomka dhe shokët e tij”, i prodhuar në vitin 1977, i regjisores Xhanfize Keko ishte filmi i dytë që u përzgjodh për t’u restauruar në laboratorin e Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center, pas atij “Nëntori i dytë”.
Përzgjedhja e këtij titulli erdhi pas impaktit që parashikohet të ketë ky film te publiku ndërkombëtar. Pas filmit “Nëntori i dytë” janë në pritje për t’iu nënshtruar procesit të restaurimit filmat, “Ballë për Ballë”, “Kapedani” dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Ndërkohë që çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave, në bashkëpunim me institucionet partnere të ACP-së dhe pastaj për një publik më të gjerë.
Një vlerësim për regjisoren shqiptare në Amerikë, në programin që i dedikohet 100 regjisoreve gra më të shquara nga 44 vende të botës. Filmi “Tomka dhe shokët e tij”, sot në ora 9:15 PM, do të shfaqet për teleshikuesin amerikan përmes kanalit televiziv TCM (Turner Classical Movies), ku prej 1 shtatorit 2020, ka nisur programi “Women make film”, kushtuar 100 regjisoreve gra, më të shquara, nga 44 vende në gjashtë kontinentet dhe që krijuan në një periudhë kohe prej 12 dekadash.
Mes tyre dhe regjisorja e mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko. Organizatorët e programit, në prezantimin që i bëjnë regjisores shqiptare përmes spotit televiziv dhe faqes on line të TCM, vlerësojnë aktivitetin saj me kinematografinë. “Xhanfise Keko është e vetmja regjisore grua në Shqipëri, e vetmja grua që realizoi filma me metrazh të gjatë në Shqipërinë komuniste dhe që ia dedikoi gjithë krijimtarinë shumëvjeçare, fëmijëve. Ajo është një nga regjisorët më të njohur dhe më të vlerësuar në vendin e saj, për zotërimin e një afrimi ndjesor dhe zërin origjinal e bashkohor. Megjithatë, përkundër një karriere të suksesshme, ajo ende nuk është aq e njohur jashtë vendit të saj. Një arsye, sipas kritikut Mark Cousins, është se, meqë ishte një grua që bënte filma për fëmijë, ajo nuk konsiderohej e rëndësishme” – thuhet për regjisoren e njohur./Konica.al
Por, sipas organizatorëve të programit, siç theksoi Muzeu Austriak i Filmit në homazhin kushtuar regjisores shqiptare, në vitin 2019, eksplorimi unik i Kekos në jetën e fëmijëve e ka vendosur regjisoren shqiptare në podin kryesor në kinemanë e pazbuluar të vendit të saj.
Studiuesit, vlerësim punës së regjisores
Xhanfise Keko, e cila studioi për montazhin e filmave dokumentarë në Moskë, thekson TCM, është një nga themeluesit e Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). “Për dy dekada, ajo realizoi një numër filmash dokumentarë me tematikë të ndryshme, derisa ndaloi dhe u fokusua përfundimisht te fëmijët, për të cilët, realizoi 11 filma artistikë, mes tyre: “Mimoza llastica” (1973), “Beni ecën vetë”(1975), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Kur xhirohej një film” (1981), etj.
Vlen të theksohet gjithashtu, se, prej disa kohësh studiuesit perëndimorë po analizojnë dhe vlerësojnë punën e saj, si në dokumentarët e Mark Cousins “Historia e fëmijëve në film” (2014) dhe “Gratë bëjnë film” (2017) ashtu dhe artikuj të ndryshëm, botuar në revista kinematografike të njohura ndërkombëtarisht”, vijon më tej, TMC.
Shfaqja e filmit “Tomka dhe shokët e tij”, sonte në mbrëmje, në kanalin televiziv amerikan TCM, kushtuar filmave më të mirë klasikë të krijuar deri në fillim vitet 80-të, e vë autoren e tij, regjisoren Keko, mes më të mirëve të historisë së kinemasë.
Filmi “Tomka dhe shokët e tij” është prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1977. Me regji nga Xhanfise Keko, skenari i filmit është shkruar nga Nasho Jorgaqi, muzika nga Aleksandër Lalo, me dirigjimin nga Ferdinand Deda. Në film, Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top, së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët, që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës.
Xhanfise Keko (1928-2007) ishte regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë dhe konsiderohet, si pionierja e atij zhanri filmi në Shqipëri.