MENU
klinika

Shkruan “Gazzeta Dello Sport”

Tetori, muaji i Marash Kumbullës!

28.10.2020 - 17:55

Është ylli i momentit jo vetëm i Kombëtares shqiptare, por edhe te Roma. Dy gola me peshë brenda një javë kanë ngritur në piedestal Marash Kumbullën. E famshmja “Gazzeta Dello Sport” i ka kushtuar një artikull mbrojtësit shqiptar. duke theksuar se tetori është muaji i tij.

TETOR 2019 – Një vit më parë, Marash Kumbulla e kishte kuptuar sa e komplikuar ishte Serie A. Në shtatë ndeshje kishte shënuar një gol dhe kishte marrë një karton të kuq. Sapo ishte futur në botën e të rriturve.

Sot, e ka kuptuar edhe sa e komplikuar është të bësh një kapërcim nga një qytet i vogël si Verona në një metropol si Roma, edhe pse ai po e menaxhon në mënyrën më të mirë. Ndërkaq, në fushë, ai nuk dorëzohet edhe pas një gabimi (siç ishte në rastin e golit të Ibrës), ai vazhdon të luajë me siguri dhe me kalimin e minutave i vendos gjërat në rregull.

REGJIMI – Jashtë fushë ka vendosur të mos humbasë në trafik dhe zhurma, kështu ai ka marrë një shtëpi pesë minuta larg Trigorias (qendra stërvitore e Romës). Jo ngatërresa për të ardhur në stërvitje, jo ngatërresa për të shkuar në shtëpi. Në moshën 20-vjeçare, ai mendon vetëm për futbollin.

Dhe faktet janë në anën e tij, ai tashmë i ka dhënë Romës tri pikë. Dy pikë në ndeshjen ndaj Young Boys, duke kthyer barazimin në fitore, dhe një pikë me Milanin duke kthyer humbjen në barazim, të dyja ndeshje jashtë. Dy gola në pesë ndeshje, të cilat zbulojnë se, përveç mbrojtjes, nuk e ka problem të tregojë veten edhe në ofensivë kur nevojitet.

KULMI – Tetori duket është muaji i tij i preferuar. Një vit më parë ai debutoi me Kombëtaren, para pak javëve luajti po me kombëtaren nga minuta e parë dhe në këtë muaj ka shënuar tre gola mes Romës dhe Veronës (shënoi kundër Sampdorias në 2019). Sidoqoftë, Kumbulla nuk kërkon të ndalojë, ai e di se nga e enjtja rikthehet Smalling.

Ai, Ibanez dhe Mancini do të luajnë për dy vende, mirëpo edhe anglezi Smalling nuk mund t’i luajë të gjitha ndeshjet. Prandaj duhet të vazhdojë në këtë rrugë, duke limituar gjithsesi gabime në mbrojtje. Megjithatë, në këtë sens prezenca e Smalling mund ta ndihmojë.

PJEKURIA – Edhe pse në moshën 20-vjeçare, djaloshi duket shumë i maturuar ashtu siç tregon edhe autokritika pas ndeshjes me Milanin. “Mund të përmirësohem në shumë aspekte, bëra një gabim që mund ta evitoja, megjithatë, për fat, e kompesova duke shënuar”, – ishin fjalët e Kumbullës.

Goli kundër Milanit e bëri ndër katër mbrojtësit e lindur në vitin 2000 që shënon në pesë ligat kryesore të këtij sezoni. Kushedi, nëse në vitin e kaluar kur luante ndeshjet e para mes të mëdhenjve me Verona-n, kishte imagjinuar se në 12 muaj do të kishin ndodhur kaq shumë gjëra.