Të shohësh errësirën është po aq e rëndësishme sa të shohësh dritën
Çdo Vigjilje, bëj diçka të pazakontë, rilexoj “Mbreti Lir”. Të rishikoj eksplorimin e zymtë të Shekspirit për shpërbërjen e familjes, miqësisë, personalitetit dhe kombit, është bërë pjesë e ritmit tim të përvitshëm. Mund të duket diçka e çuditshme, veçanërisht gjatë këtyre viteve më të vështira: me ditë dimri të shkurtra, si dhe me kaq shumë dhimbje kombëtare, ndërkombëtare dhe personale rreth e rrotull, kujt i duhet më shumë terrinë?/Konica.al
Si i krishterë, e bëj.
Leximi i “Mbreti Lir” në vigjilje më ka mësuar, se të shohësh errësirën është po aq thelbësore sa të shohësh dritën. Ndikimi që ka tek unë Lir nuk është temperament, pasi nuk jam i prirur drejt dëshpërimit, madje nuk më tërheq as melankolia. Përkundrazi, unë e shoh vigjiljen e Krishtlindjeve si një sezon pritjeje në errësirë, por me shpresën se do vijë drita. Jam i detyruar të marr pjesë në këtë ndërkohë, të mos neglizhoj asnjërën dhe t’i përjetoj të dyja, pra të angazhohem intensivisht në një sezon përvetësimi të perceptimit dhe konsideratës.
Kushtimi i vëmendjes provokon dhe zbulon njerëzimin tonë, por shpërqendrimi ynë është i pamëshirshëm, sidomos sot, dhe mund të tejkalohet vetëm nga aftësia jonë për mohim. Prirja jonë natyrore është të shohim larg errësirës, të pretendojmë se hijet nuk ekzistojnë – por ato ekzistojnë. Ne kemi nevojë të gjejmë një mënyrë për të parë errësirën pa u mbytur në të, për ta fiskuar vështrimin në siguri, gjë që më kthen tek Liri. Duke u zhytur në errësirën e asaj historie, më ka mësuar të marr frymë në praninë e errësirës në historinë tonë. Mbreti Lir më ndihmon të shoh, të ndjej dhe ta vlerësoj ndryshe jetën. Për më shumë se 40 vjet, kam gjetur tek “Mbreti Lir” pulsin e ndjeshëm dhe impulsin e të qenit njeri. Drama përmbledh dhe dramatizon një rrëfenjë të shpleksur. Historia është në të njëjtën kohë intime dhe publike, për format e vetëshkatërrimit që fshihen brenda fuqisë së një mbreti dhe për vogëlsitë e shfytyruara që mund të zhbëjnë jetën. Bëhet fjalë për lidershipin e ushtruar përmes shterpësisë së gënjeshtrave, komploteve, sekreteve e mashtrimeve. Është një histori e fuqisë dhe pafuqisë së saj. Mbreti nuk mund të shpëtojë vetveten, jo më njerëzit përreth. Askush nuk ka nevojë të sforcohet për të ndjerë rrahjet e zemrës dhe dhimbjen e kësaj drame. Mund të mos jetë rrëfenja jonë, por është historia jonë.
“Mbreti Lir” sigurisht që futet tek një tjetër lloj leximi Krishtlindjesh. Ndërsa drama shtjellohet, unë mund të mbytem në tragjedinë e saj të vrazhdë, ankthin e panevojshëm të rënies drithëruese e shkatërruese drejt vdekjes. Po njëherazi mund ta shoh dhe ta ndiej me njëfarë mospërfilljeje, sepse e di që ky nuk është pikërisht mbreti im, as familja ime, as kombi im. Gjithsesi, ai ekziston. Shpirti më dridhërohet, ndërsa Mbreti Lir emërton dhe ekspozon babëzinë njerëzore për dashuri, të kombinuar me pabesinë e interesit tonë personal. Gjithçka na godet tek porta, duke folur jo vetëm për kohën e Shekspirit, por për tonën, duke folur jo vetëm për betejat e Lirit, por për tonat./Konica.al
Por, pse ta lexoni “Mbretin Lir”? Pse të mos dilni të shëtisni rrugëve, ose të lexoni gazetën, ose të lundroni në internet? Historia jonë njerëzore mund të kqyret përmes lentesh dhe këndvështrimesh të ndryshme. Grushti i veçantë e Lirit është çasti tronditës i një drame të shkruar më shumë se 400 vjet më parë, që përforcon, në vend që ta dobësojë forcën e ndikimit të saj. Nga koha kur u përfundua, në 1606, asnjëherë nuk ka qenë kaq e rëndësishme. Historitë bashkëkohore mund të jenë ngulmuese dhe tërheqëse, por krizat e staxhionuara të Lirit të therin në mënyrë më të thjeshtë, në një nivel më të thellë dhe më elementar. Kjo është arsyeja që tingëllon ashtu siç bën.
Në këtë vit pandemie, kemi përjetuar më shumë izolim sesa mund ta kishim imagjinuar ndonjëherë. […] Gjithsesi, jam përpjekur posaçërisht të eci në botë këtë vit me zemrën dhe mendjen sa më të hapur dhe të angazhuar. Ka qenë një vit dhimbjeje dhe trishtimi, zemërimi dhe humbjeje. […]. Mes ofshamave kolektive, elastikja, bukuritë sakrifikuese të të qenit njeri s’kanë qenë më shumë sesa një regëtimë. Zbuluan dhuratën e qenies njerëzore, një dhuratë njëherazi e brishtë dhe e qëndrueshme. Lentet e Lirit mbi qenien njerëzore hidhen në mënyrë të atillë, që të mundësojnë perceptimin e problemeve tona në mënyrë akute, të patrazuara nga shpresa. Leximi i dramës çdo vgjilje ekspozon pyetjet dhe hutimet e para, të vazhdueshme. Gjithashtu, më përgatit për shqetësimin e një foshnje të pambrojtur si përgjigja e Zotit ndaj lebetisë njerëzore. Të mbështjellë rishtazi në thellësitë e Lirit tonë personal dhe kolektiv, të krishterët për dy mijëvjetë e kanë përshëndetur lindjen e Zotit. Secila histori është po aq e pandërprerë sa tjetra. Sentimentaliteti dirthërohet mes të dyjave. Kur ndalojnë në përplasjen e tyre të guximshme, e di se Lindja ndodhi. Pritja dhe errësira fillojnë t’i hapin udhën shpresës. Krishtlindja është këtu./Konica.al
(Mark Labberton, “The Atlantic”)