Një tjetër ndryshim në pankinat e skuadrave të futbollit shqiptar. Fabrizio Cammarata sot është larguar nga Dinamo. 45-vjeçari e dha vetë lajmin në rrjetet sociale duke shprehur mirënjohjen klubit dinamovit dhe futbollistëve për 13 muajt e bashkëpunimit.
“Ndonjëherë disa gjëra të papritura ndodhin në futboll për të marrë vendime të caktuara. Mbyll mandatin tim si trajner i Dinamos. Dua të falenderoj Dinamon dhe në veçanti presidentin Pontrelli që më dha mundësinë të jem trajner i një klubi kaq të rëndësishëm.
Gjithashtu, falenderoj administratorin e klubit Ermal Barushin për të gjithë punën e bërë; të gjithë futbollistët që kam stërvitur, sepse kanë qenë profesionistë të vërtetë dhe u uroj më të mirat në karrierë. I falenderoj dhe tifozët Dinamos që na kanë mbështetur gjithmonë dhe meritojnë më tepër.
View this post on Instagram
Këto 13 muaj kanë qenë të rëndësishme për mua, sepse fillimisht garantuam qëndrimin në Kategorinë e Parë, ndërsa sot jemi ‘kampionë të dimrit’ dhe në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Dinamo do ta kujtoj gjithmonë dhe do të jem tifoz i saj duke shpresuar t’ju shoh sa më shpejt në Kategorinë Superiore. Faleminderit për gjithçka!”
Cammarata pritet të zyrtarizohet si trajner i Apolonisë. Tekniku italian ka preferuar të bëjë një hap më shumë në karrierë, por me një risk. Skuadra fierake ndodhet në vendin e fundit të Superligës dhe është më e rrezikuara.