MENU
klinika

Ritet arbëreshe në UNESCO

Mandala: Na duhet mbështetja e ministrisë së Kulturës

31.12.2020 - 11:33

       Mbi gjashtë shekuj që arbëreshët e Italisë, mundohen të mbajnë të gjalla gjuhën, traditat, identitetin e origjinës.

Në meritë të kësaj përpjekjeje sa krenare aq edhe të guximshme që meriton të përçohet te brezat më tej, Komitetit Kombëtar Italian të UNESCO-s, i është dorëzuar këtë të hënë nga Fondacioni Universitar “Françeso Solano”, propozimi që ritet arbëreshe “Moti i Madh”, të regjistrohen si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit.

Akademiku Matteo Mandala ka përkrahur dhe ka kontriubuar gjatë kësaj kohe në nismën e udhëhequr nga kolegu i tij albanolog dhe studiuesi arbëresh, Françesco Altimari, duke shpjeguar fazat dhe pritshmëritë që kanë për këtë kërkesë.

Ndonëse deri më tani, nuk ka munguar mbështetja verbale e Ministrisë së Kulturës, në fazat në vijim, premtimet duhen formalizuar.

Pas argumenteve të kërkesës dorëzuar të Komisionit të UNESCO-s në Itali, fshihen 30 vite studime të Katedrës së Albanologjisë së Kalabrisë dhe Palermos, ku krahas profesor Mandalas dhe Altimarit, janë edhe studiues të tjerë.

Me meritën e Italisë, për përpjekjet që po bëhen për njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë jomateriale arbëreshe ne UNESCO, Shqipëria është lënë ende në pritje të dorëzimit të dosjeve, si “Kcimi i Tropojës” “Xhubleta”, “Eposi i Kreshnikëve”dhe “Rituali i shtegëtimit të bagëtive”.

Profesor Mandala, si autor i disa veprave për arbëreshët, mes të cilave edhe “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” që u vlerësua nga Ministria e Kulturës, si vepra më e mirë studimore, shpjegon sesi arbëreshët kanë mundur t’i ruajnë ritet, për më shumë se 600 vjet.

Për akademikun, kjo nismë do të jetë edhe një shtysë më shumë për brezat e rinj, që të ruajnë identitetin e origjinës shqiptare.