Kur dha frymën e fundit Skënderbeu, Lekë Dukagjini doli në sheshin e Lezhës dhe duke shkulur flokët e rrahur gjoksin, me sa za që pati, lëshoi gjamën:
“Mbledhuni o njerëz e princa arbnorë. Sot u banë copë dyert e Arbnisë e Maqedonisë, sot u rrxuen muret dhe kështjellat tona; sot humbi gjithë forca dhe fuqia jonë; sot ranë fronet e pushtetet tona; sot, së bashku me këtë njeri, u shua çdo shpresë e jonë”.
E kanë krahasuar gjamën e Lekës, me gjamën që bën Akili për shokun e tij Patroklin, tek “Iliada” e Homerit, por gjama e Lekës është ma dramatike, ma tragjike, sepse ajo parathotë fatin e zi me të cilin do të përballen shqiptarët, pas vdekjes së Skënderbeut.
Gjama e Lekës, shpreh thelbin e vetë tragjedisë, në kuptimin që i jep asaj Shelingu: tragjedia është disfata e lirisë në konfliktin e saj, me fatin mizor.
Do duhej të kalonin shekuj, para se shqiptarët të ringjallnin ëndrrën e nisur nga Skënderbeu dhe Lekë Dukagjini, dhe nën flamurin e betejave të tyre të fitonin lirinë.
Dhe shqiptarët, do të mund të jenë të lirë vetëm për kaq kohë se mbahen fort të lidhur, pas dy shtyllave të besimit skënderbegian: Liri a vdekje dhe veç një aleancë strategjike, aleancën me botën perëndimore.
Nga: Blerim Latifi