Kjo sindromë shkaktohet nga lëvizjet e përsëritura të dorës dhe të kyçit. Ndoshta do të habiteni kur të mësoni se kjo sindromë shfaqet edhe te gratë shtatzëna, për shkak se ndryshimet hormonale, ënjtja dhe shtimi në peshë mund ta ngjeshin nervin, që ndodhet poshtë ligamentit të tunelit karpal të kyçit të dorës.
Ky ligament është një membranë e fortë, që bashkon kockat e kyçit të dorës. Një nerv i quajtur nervi mesatar, kalon përmes tunelit karpal, i cili është një hapësirë mes kockave të kyçit të dorës dhe ligamentit të tunelit karpal. Ky vendkalim është tepër delikat, ndaj çdo ënjtje në këtë zonë mund ta shtrëngojë ose ta ngjeshë nervin mesatar, i cili komandon gishtin e madh, dy gishtat e parë dhe gjysmën e gishtit të unazës. Ndër simptomat e sindromës së tunelit të kyçit të dorës, mund të përmendim: mpirjen, ndjesinë e shpimit, dobësi, dhimbje ose djegie duarsh dhe e pjesës së poshtme të krahëve. Te gratë shtatzëna, sindroma e tunelit të kyçit të dorës zakonisht shfaqet në të dyja duart.
Parandalimi dhe kujdesi: ju mund t’i lehtësoni vetë dhimbjet duke i fërkuar apo shkundur të dyja duart. Pjesë e trajtimit fillestar të kësaj sindrome, është përdorimi i allçisë gjatë natës dhe gjatë veprimtarive që i përkeqësojnë simptomat, si: daktilografimi, drejtimi i makinës apo mbajtja e një libri. Një mënyrë tjetër për lehtësimin e dhimbjeve, është edhe përdorimi i kompresave të ftohta ose të nxehta.
Përkujdesja mjekësore: sindroma e tunelit të kyçit të dorës në thuajse të gjitha rastet zhduket pas lindjes. Në rastet e rralla që nuk ikën, mjeku mund t’ju rekomandojë të bëni injeksione me steroide. Ka raste kur për ta rregulluar këtë problem, është e nevojshme të kryhet edhe një ndërhyrje kirurgjikale.