Mbetet vetëm zyrtarizimi, që ndoshta do të vijë pas pak ditësh. Zlatan Ibrahimovic thuhet se do të kthehet në kombëtaren e Suedisë këtë muaj, pesë vite pas paraqitjes së tij të fundit ndërkombëtare.
39-vjeçari, i cili është shënuesi kryesor i Suedisë me 62 gola, nuk ka luajtur për vendin e tij që nga “Euro 2016”, por ka qenë në një formë fantastike për kuqezinjtë këtë sezon. Dhe tani duket se do të rikthehet në skenën ndërkombëtare me fanellën e verdhë.
“FotbollDirekt” raporton se Ibrahimovic do të thirret për kualikueset e Kupës së Botës kundër Gjeorgjisë dhe Kosovës, si dhe një miqësore kundër Estonisë. Ai ka të ngjarë të jetë gjithashtu në garë për të udhëhequr Suedinë në finalet e “Euro 2020”, këtë verë.
Ibra ka shënuar 14 gola në Serie A këtë sezon, për ta ndihmuar Milanin në betejën e fortë të titullit. Aktualisht është jashtë fushave për shkak dëmtimi, duke marrë pjesë në festivalin e Sanremos, ndërsa pritet të humbasë përballjet e “Europa League” kundër Manchester United.
Më parë ka pasur spekulime se donte të kthehej te Suedia, çka është motivuar dhe justifikuar tashmë nga forma e tij maksimale në këtë sezon. Ibra u takua me trajnerin suedez, Janne Andersson, në nëntor, për të diskutuar rikthimin në kombëtare.
Dhe duket se do të jetë pjesë e kombëtares nordike për sfidat e afërme. Pritet konfirmimi, kur të publikohet lista më 16 mars. Mosha duket se qenka thjesht një numër për Ibrahimovic…