Spektakël në “San Siro”! Atë që nuk arriti ta bënte në derbi ndaj Inter apo në Europa League ndaj Betis, Milan e ka bërë ndaj Sampdoria-s, duke fituar 3-2, ku rezultati është përmbysur dy herë, fillimisht për miqtë, pastaj për vendasit.
Ndeshja nis mirë për Milan, teksa Cutrone shënon golin e avantazhit në minutën e 17-të. U duk sikur do të ishte gjithcka e lehtë pastaj për kuqezinjtë, por Saponara barazon shifrat pas 4 minutash lojë.
Madje Sampdoria arrin të shënojë edhe golin e dytë në minutën e 31-të me anë të Quagliarella. Megjithatë, Milan nuk shokohet. Pas pesë minutash lojë, Higuain barazon dhe pjesa e parë përfundon në shifrat 2-2.
Në pjesën e dytë Milan rrit tempin e lojës dhe për pasojë Suso gjen avantazhit. Milan mund dhe duhet të kishte shënuar edhe të paktën 2 gola, por nuk ia ka dalë dot. Gjithsesi, ajo që vlen është fitorja.
Gattuso mund të marrë “frymë” dhe të vijojë me projektin e tij, Milan ngjitet i shtati, por me pikë të barabarta me vendin e pestë dhe të gjashtë dhe 3 pikë larg zonës Champions League, që është objektivi i kuqezinjve.