Një lajm shumë shokues për botën e futbollit. Trupi i një futbollisti të ri brazilian është gjetur pothuajse me kokë të hequr, i shpërfytyruar dhe me organe gjenitale të masakruara në një shkurre mbrëmjen e të shtunës.
Kjo është ajo që raportojnë mediet vendase, duke bërë me dije edhe identitetin e futbollistit. Bëhet fjalë për yllin e Sao Paulo, Daniel Correa Freitas, 24-vjeçar.
Ai u gjet i vdekur në një shkurre në Sao Jose Pinhais, në shtetin jugor të Brazilit, Parana, nga disa persona që po shëtisnin pranë. Ata kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe ka qenë kjo e fundit që ka bërë identifikimin.
Ende nuk dihen autorët e kësaj ngjarje makabre dhe shkaqet që kanë çuar në akt të tillë çnjerëzor. Klubi dhe bota e futbollit kanë mbetur të shokuar kur kanë mësuar këtë ngjarje.