MENU
klinika

Kategoria Superiore

Kukësi: Luajmë në Kamëz! Klubi vendës: Jo!

30.10.2018 - 17:25

Në një njoftim të klubit të Kukësit thuhet se ndeshja e radhës me Flamurtarin do të luhet të premten në stadiumin e Kamzës, madje hyrja për tifozët do të jetë falas. Në pamje të parë duket normale, pasi stadiumi i Kukësit është në rikonstruksion.

Por ajo që bie në sy është se si presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka gjetur gjuhën e përbashkët me Bashkinë Kamëz për të luajtur në stadiumin që administrohet nga kjo bashki, kur Gjici ka qenë rival i Xhelal Mziut në zgjedhjet e fundit për këtë njësi administrative.

Ende nuk dihet se si është arritur akordi, por burime shumë të besueshme për “Konica.al”, bëjnë me dije se klubi i Kamzës, që drejtohet nga presidenti Naim Qarri, nuk ka arritur asnjë akord. Ky akord është arritur me bashkinë!

Sipas të njëjtave burimeve, mësohet se ekipi i Kamzës të premten do të kryejë seancën stërvitore të radhës në stadium, sipas programit, ndërsa është kategorisht kundër që aty të luajë Kukësi, pasi të mërkurën Kamza pret Teutën në ndeshjen e radhës dhe kështu fusha do të dëmtohej.

Një “mish-mash” që me siguri do të mësohet se ku “fle lepuri”, pasi vetë klubi i Kamzës i drejtuar nga Qarri ka akuzuar bashkinë që nuk e ka ndihmuar ekipin financiarisht gjatë fazës së parë. Ndërsa kryebashkiaku Mziu është përgjigjur se detyrimet ligjore janë kryer sipas rregullave dhe Bashkia Kamëz nuk i detyrohet asgjë klubit të futbollit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kategoria Superiore, java 10

Kukësi mposht Laçin dhe sheh nga kreu