Nuk është një tezë e re, madje pritet të votohet së shpejti për turneun e ardhshëm. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se organi qeverisës i futbollit botëror është duke e shqyrtuar mundësinë e rritjes së numrit të Kombëtareve që do të luajnë në turneun e Kupës së Botës të vitit 2022 në Katar.
Nga 32 skuadra, do të shkojë 48 numri i finalisteve që do të marrin pjesë në këtë turne në vitin 2026. Pra, për vitin 2026 është e miratuar, por FIFA po mendon për vitin 2022. Natyrisht që me 48 ekipe finaliste, përfiton edhe Shqipëria, pasi nga Europa do të shtohen skuadra dhe Kombëtarja shqiptare ka më shumë shanse.
Nëse ky ndryshim ndodhë, atëherë Infantino ka bërë të ditur se FIFA do të detyrohej t’ia ndante Katarit të drejtën e organizimit të turneut me vendet fqinje, për shkak se do të nevojitej hapësirë më e madhe.
Në fillim të këtij viti, FIFA kishte marrë vendimin për ta rritur numrin e vendeve pjesëmarrëse në turneun e Kupës së Botës të vitit 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Numri është rritur nga 32 vende në 48.
“Ne kemi vendosur ta rrisim numrin e vendeve që marrin pjesë në turneun e Kupës së Botës nga 32 në 48 dhe kjo do të ndodhë në turneun e vitit 2026”, – ka thënë Infantino gjatë Kongresit Vjetor të Konfederatës së Futbollit në Azi.
“A do të ndodhë kjo gjë në vitin 2022? Për momentin, jemi duke e shqyrtuar këtë mundësi. Nëse është e mundur, atëherë pse jo?”
Katari, me popullsi prej rreth 2.5 milionë njerëzve, e ka fituar të drejtën e organizimit të turneut të vitit 2022. Nëse numri i vendeve pjesëmarrëse rritet, atëherë Katari duhet ta ndajë këtë përgjegjësi me vendet fqinje.