Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë të martën se shpreson që në një të ardhme të shohë qëndrime më pak të polarizuara brenda Bashkimit Evropian, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, sidomos në Francë.
Ajo e ka quajtur për keqardhje dhe të gabuar vendimin e Francës për mosdhënie të dritës së gjelbër për këtë proces, as në vizitën e fundit që ka pasur kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Paris.
Sipas saj, Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim vizash dhe Bashkimi Evropian nuk ka kryer detyrat e veta, dhe në këtë mënyrë po humb kredibilitetin. “Kjo gjë është me të vërtetë diskriminuese”, ka thënë mes tjerash ajo.
Megjithatë, von Cramon, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë në çështje të korrupsionit dhe reformave, në mënyrë që Qeveria franceze të bindë më lehtë publikun e vet për këtë temë.
E pyetur nëse ka mundësi që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka thënë se nuk ka dijeni për diçka të tillë, pasi, të paktën në të kaluarën, këto çështje nuk kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën.
Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 23 qeshor, kryeministri Albin Kurti ka thënë se përfaqësuesit e këtij shteti nuk kanë ndërruar qëndrim sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, ka deklaruar kryeministri Kurti për televizionin publik të Kosovës po atë ditë.
Mes tjerash, kryeministri Kurti ka thënë se duhet punuar me Holandën dhe shtetet e tjera që janë skeptike për këtë proces. Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.
Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. / REL