MENU
klinika

A është jolegjitim parlamenti i ardhshëm?

Mustafa Nano: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk vlen për atë që ka ikur

01.07.2021 - 21:23

Analisti Mustafa Nano i pyetur në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e herësit dhe marrëveshjen e 5 qershorit 2020, u shpreh se marrëveshja nuk është anomali pasi ajo është përkthyer në ligj dhe është diskutuar në parlament.

Ndërkohë i pyetur nëse është legjitim apo jo parlamenti i ardhshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Nano u shpreh se vendimi i Gjykatës doli pasi zgjedhjet u njohën.

Sipas Nanos vendimi i Gjykatës Kushtetuese vlen për zgjedhjet e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e 25 prillit.

“5 Qershori është përkthyer në ligj në parlament. Kështu që do të flasim për një ligj që ka marrë parlamenti. Dhe në këtë kuptim nuk shoh ndonjë anomali sepse ligjet e parlamentit hyjnë në fuqi në momentin që botohen në Fletoren Zyrtare jo kur Gjykata Kushtetuese jep një opinion të vetin lidhur me ligjin.

Gjykata Kushtetuese mund ta vonojë, por ligji hynë në fuqi menjëherë. Pra ky ligj ka hyrë në fuqi dhe parlamenti nuk ka kompetencën e duhur për të vërtetuar përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën.

Mes Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamentit është një institucion tjetër Presidenca që ka për detyrë që të japë veton vetëm një herë dhe ky është iteri legjislativë dhe në këtë moment nuk ka ndodhur ndonjë anomali.

34 deputetë nuk duhet të mos ishin në parlament, por janë në parlament. Këta duhet të mos ishin në parlament në bazë të vendimit që ka marrë Gjykata Kushtetuese sot, ndërsa atëherë nuk e kishte marrë.

Do të ishte mirë që at vendimin ta kishte marrë atëherë Gjykata Kushtetuese. Tani nuk vlen më për atë që ka ikur, vlen për zgjedhjet e ardhshme ky vendim tashmë.

Parlamenti i ardhshëm është legjitim sepse në respekt të marrëveshjes së 5 qershorit është një ligj i parlamentit dhe për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk ka vepruar ato ligje janë ligje në bazë të asaj që ne duhet të sillemi.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte vepruar para zgjedhjeve do të ishte ok”, tha ai.