MENU
klinika

Poet, patjetër!

“Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë”

02.07.2021 - 15:14

       Sot bota e letrave përkujton përvjetorin e nobelistit gjerman Herman Hesse, lindur më 2 korrik 1877. Pas debutimeve të para letrare, në fillim të shekullit XX, autori gjeti një numër lexuesish gjithnjë në rritje falë romaneve si “Siddharta” dhe “Narcisi dhe Bokardi”. Herman Hesse ishte një nga filozofët më të shquar të shekullit të 20-të. Romancier, piktor dhe filozof, Hesse fitoi çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1946, pas një jete kushtuar letrave, me veprën “Loja e rruazave prej qelqi”. Mendimi i rrjedhshëm dhe i përsosur, me një prozë për t’u patur zili, e bëri atë një nga shkrimtarët më të lexuar në historinë moderne./Konica.al

Jam një yll

Jam një yll në universin qiellor,

Që vëzhgon dhe përçmon botën,

Dhe tretet brenda dritës së vet.

 

Jam deti që tërbohet natën,

Deti që ankohet, rënduar nga viktimat,

Bashkë me mëkatet e vjetra, mbledh edhe të reja.

 

Kam mërguar nga bota juaj,

I rritur në krenari dhe i tradhtuar prej saj,

Jam mbret pa atdhe.

 

Jam pasioni i heshtur,

Në vatër pa oxhak,

Në luftë pa shpatë,

I sëmurur nga vetë forca ime.

 

Gjithmonë jemi në kërkim të diçkaje më shumë nga ato që kemi dhe ato që jemi. Madje, jemi të bindur se kjo “më shumë” është përtej mundësive tona. Shpesh na pëlqen të strehohemi në fjalët e mrekullueshme të Herman Hesses, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve tona, për të qetësuar shpirtin, për të përjetuar fundja qetësinë që nuk duhet kërkuar jashtë, por brenda nesh.

Herman Hesse ishte shkrimtar, poet, po edhe mësues i vërtetë i jetës.

Në faqet e librave të tij, gjithsecili mund të takojë pjesë të fshehura të shpirtit, të shkruarit e tij është pasqyra e brendisë tonë, që na tregon ato cilësi, të dhimbshme dhe brenguese, që ndonjëherë e kemi vështirë t’i pranojmë. Kush e njihte, e kujton si një njeri me një personalitet të vështirë dhe disi të ashpër. E donte vetminë dhe zhytej në humnerat e gjendjes së brendshme shpirtërore. Një krijues gjeni, vetmitar dhe disi i paqëndrueshëm, që gjithçka që ndiente e shndërronte në fjalë. Në fakt, ai konsiderohet si “autor i krizës” gjithnjë në kërkim të identitetit të tij të vërtetë. Konica.al

Thëniet nga Hesse, janë një ftesë për të reflektuar mbi jetën dhe kërkimin e identitetit, një dhuratë për këdo që dëshiron të thellohet, të pyesë veten dhe të zbulojë vetveten. Një trashëgimi me thellësi të madhe psikologjike dhe shpirtërore që meriton të lexohet.

Ç’mund t’ju them që mund t’ju vlejë, përveçse mund të jeni duke kërkuar diçka me aq këmbëngulje, sa nuk mund të gjeni asgjë?

 

Ka miliona anë të së vërtetës, por vetëm një të vërtetë.

 

Si trup jemi të gjithë beqarë, si shpirt askush nuk është.

 

Zogu lufton derisa del nga veza. Veza është bota juaj. Çdo qenie e gjallë duhet të përpiqet të shkatërrojë botën.

 

Feja, ashtu si arsyeja, nuk kalon përmes arsyes.

 

Nëse për lumturinë tënde të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.

 

Përjetësia është vetëm një moment, i gjatë mjaftueshëm për t’u tallur me të.

 

Kur urrejmë dikë, në imazhin e tij urrejmë diçka që kemi në brendësinë tonë.

 

Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dashurojë.

 

Lotët janë shkrirja e akullit të zemrës. Atij që qan, të gjithë engjëjt i rrinë pranë.

 

Mund të shkruash libra me psikologji, por jo të depërtosh në zemrën e njeriut.

 

Nuk ekziston një ëndërr e përhershme. Çdo ëndërr ia lë vendin një ëndrre të re dhe nuk ka pse të frenoni asnjërën prej tyre.

 

E keqja lind gjithmonë atje ku dashuria nuk mjafton.

 

Jo rrallëherë u hamë kohën miqve, për t’ua kushtuar atë armiqve tanë.

Veprat e Hesses janë përkthyer në gati 60 gjuhë, ndërsa të paktën 125 milionë kopje janë shitur në të gjithë botën. Hesse e dinte saktësisht, se çfarë dëshironte të bëhej – “poet ose asgjë fare”. Udhëtimi i tij drejt shkrimit, ka qenë në vetvete një odise e vërtetë. Ndër veprat kryesore, citojmë “Siddharta”, “Ujku i Stepës”, “Endacaku Knulp”, “Narcisi dhe Gojarti”, “Loja e rruazave prej qelqi”, etj.

U shua nga ataku në zemër, më 9 gusht 1962.

Hesse është një burim i magjepsjes për çdo të ri, me krijimtarinë udhëzim për shqyrtimin e identitetit. Librat e tij, ndihmojnë për të analizuar pyetjen e përjetshme të kuptimit të jetës./Konica.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen