“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Çfarë i shkakton palpitacionet në zemër?
Mjeku: Palpitacionet ndihen si rrahje të shpeshta zemrës, ose “sikur zemra po të del nga vendi”. Shkaktojnë ankth dhe frikë, por në shumicën e rasteve nuk janë serioze dhe nuk kanë nevojë për trajtim. Megjithatë, të kuptoni se çfarë ju shkakton palpitacione mund t`ju ndihmojë të mos frikësoheni dhe të dini se kur është e nevojshme të konsultoheni me një mjek.
Stresi dhe ankthi
Emocionet e forta mund të nxisin çlirimin e hormoneve që përshpejtojnë rrahjet e zemrës. Trupi bëhet gati për të përballuar një rrezik, edhe pse ju nuk jeni në rrezik. Atakët e panikut janë episode frike intensive të cilat mund të zgjasin disa minuta. Simptomat përfshijnë rrahjet e shpejta të zemrës, djersitje, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi. Një atak paniku mund të përjetohet edhe si një atak në zemër. Nëse nuk jeni të sigurt për atë çka po ndjeni, është gjithmonë më mirë të konsultoheni me një mjek.
Aktiviteti fizik
Aktiviteti fizik është shumë i shëndetshëm. Një vrap i shpejtë ose një xhiro me biçikletë, pa dyshim do bëj zemrën tuaj të rrahë më shpejtë. Kjo e ndihmon zemrën të pompojë më shumë gjak për të fuqizuar muskujt gjatë ushtrimit. Nëse ndjeni palpitacione, mund të jetë për shkak se keni kohë pa kryer aktivitet fizik dhe s`jeni mjaftueshëm në formë.
Kafeina
A po ju rreh zemra më shpejtë pas kafesë së mëngjesit? Kafeina është një stimulant që rrit ritmin e zemrës. Mund ta gjeni jo vetëm në kafe, por edhe në produkte të tjera si pije energjike, çaj, çokollatë, etj. Në një studim është parë se kafeina nga çaji dhe çokollata ka më pak gjasa për të shkaktuar palpitacione. Por nuk dihet saktësisht se çfarë efekti ka në pacientët që kanë probleme të ritmit të zemrës.
Nikotina
Përbërësi kimik që shkakton varësi në produktet e duhanit është nikotina. Nikotina rrit presionin e gjakut dhe përshpejton rrahjet e zemrës. Mos pirja e duhanit është një ndër gjërat më të mira që mund të bëni për veten tuaj.
Edhe ngjitëset me nikotinë mund të shkaktojnë rrahje të shpejta të zemrës. Por palpitacionet mund të jenë edhe një “efekt anësor” i lënies së duhanit. Ky efekt mund të zgjasë nga 3 deri në 4 javë nga momenti që keni lënë duhanin.
Ndryshimet hormonale
Gratë mund të vënë re se rrahjet e zemrës mund të përshpejtohen gjatë shtatzënisë ose gjatë periudhës së perimenopauzës. Arsyeja? Ndryshimet hormonale. Ndryshimi i ritmit të zemrës është përgjithësisht i përkohshëm dhe nuk përbën një arsye për t`u shqetësuar. Nëse jeni shtatzënë, palpitacionet mund të shkaktohen edhe si pasojë e anemisë.
Ethet dhe temperatura
Kur jemi me temperaturë, trupi ynë përdor më shumë energji se në kushte normale. Ky mund të jetë një shkak i palpitacioneve. Zakonisht, temperatura e trupit duhet të jetë më e lartë se 380C që të mund të shkaktojë palpitacione.
Ilaçet
Disa medikamente mund të shkaktojnë palpitacione si efekt anësor i tyre, ndër to përfshihen:
– Antibiotikët
– Antimikotikët
– Antipsikotikët
– Mediakmente per astmën
– Medikamentet për kollën
– Antihipertensivët
– Medikamentet për tiroiden
Pyesni mjekun nëse ilaçet që jeni duke marrë mund t`ju shkaktojnë palpitacione.
Hipoglicemia
Nëse niveli i sheqerit në gjak bie nën normë, mund të ndjeni të dridhura, dobësi dhe irritim. Gjithashtu, mund t`ju shfaqen edhe palpitacione. Kur niveli i sheqerit bie, trupi çliron hormone si adrenalina, e cila shkakton rrahje të shpejta të zemrës.
Hipertiroidizmi
Tiroidja është një gjëndër që rregullon funksionin e metabolizmit në trup. Një tiroide hieraktive prodhon më shumë hormone të tiroides. Kjo gjendje mund të shkaktojë rrahje të shpejta të zemrës.
Gjithashtu, marrja e mjekimit të tepruar për hipotiroidizëm mund të shkaktojë të kundërtën dhe të përshpejtojë rrahjet e zemrës.
Probleme të ritmit të zemrës
Ndonjëherë një ritëm i çrregullt i zemrës, i quajtur aritmi, mund të shkaktojë palpitacione. Ndër këto gjendje mund të përmendim fibrilacionin atrial, takikardinë supraventrikualre, takikardinë ventrikulare.
Alkooli
Nëse konsumoni më shumë alkool se zakonisht, mund të ndjeni rrahje të shpejta të zemrës dhe palpitacione. Në disa persona mund të ndodhë edhe pas pirjes së sasisë shumë të vogël të alkoolit.
Kontraksionet ventrikulare të parakohëshme (PVC)
Ndodh kur ventrikujt kontraktohen para kohe duke shkaktuar një rrahje ekstra nga ritmi normal i zemrës, çka mund të shkaktojë palpitacion. Nëse keni një zemër të shëndetshme, PVC rastësore nuk janë një arsye për t`u shqetësuar. Por nëse tashmë vuani nga një sëmundje e zemrës, mund të nevojitet trajtim nëse i përjetoni shpesh.
Kokaina dhe narkotikë të tjerë
Kokaina, amfetamina, ekstaza dhe narkotikë të tjerë të jashtëligjshëm janë të rrezikshme për zemrën. Kokaina rrit presionin e gjakut, përshpejton rrahjet e zemrës dhe dëmton muskujt e zemrës.
Amfetamina stimulon sistemin nervor, çka përshpejton ritmin e zemrës. Ekstaza nxit çlirimin e norepinefrinës, çka gjithashtu e bën zemrën të rrahë më shpejtë.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.