Alarmi i kuq për arkat e Barcelonës tashmë është konfirmuar. Klubi katalanas ka miratuar një buxhet për sezonin 2021-2022 prej 765 milionë eurosh dhe një bilanc përfundimtar për sezonin që kaloi, ku u raportuan 481 milionë euro humbje.
Situata e borxhit, e cila arrin në 1.35 miliardë euro, shqetëson gjithashtu ambientin blaugrana. Klubi priste një kthim të publikut në stadiumet dhjetorin e kaluar, gjë që nuk ndodhi dhe humbjet u thelluan. Në përpjekje për të mbyllur humbjet, drejtuesit e Barcelonës janë të detyruar të ulin pagat.
Katalanasit hoqën dorë nga rinovimi i kontratës së Lionel Messit dhe ndanë rrugët me Antoine Griezmann, duke rikuperuar vetëm në një sezon rreth 60 milionë euro. Por sic duket, nuk është e mjaftueshme. Dhe sikur të mos mjaftonin humbjet dhe borxhet, edhe rezultatet në fushë nuk janë shpresëdhënëse.
Humbja 0-3 në Camp Nou ndaj Bajernit të Mynihut ka vënë në pozita të vështira edhe trajnerin Koeman, i cili mori ultimatumin e presidencës për të tri fitore radhazi në ndeshjet e ardhshme, ndryshe holandezi mund të shkarkohet.