“Edhe për kohën e sotme kam për të folur jo pak. – thotë diku, Dritëroi. – Edhe kjo kohë ka shumë pehlivanë. Është kohë humori. Në humor unë gjej lirinë. Dikush thotë: “Humori është kështjella e fundit e lirisë, është hapi i fundit i tërheqjes. Ta lëshosh këtë kështjellë, do të thotë të dorëzohesh. Ta mbash, do të thotë të kalosh në ofensivë”. Prandaj për mua është i shtrenjtë humori.”
Poeti, prozator, publicist, eseist, mendimtar e kritik, sa edhe zë shumë i rëndësishëm në proceset demokratike në vend si një mendimtar politik: Dritëroi lindi më 13 tetor 1931, në Menkulasin që do t’i thurte vargje gjithë jetën./Konica.al
Dritëroi do të shfaqej në letërsi, si një autor me kërkesa të larta për poezinë, plot individualitet. Poezia dhe gjithë krijimtaria e tij u karakterizua nga thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe ndjeshmëria e lartë humane. Për të, protagonisti qe si bujku dhe bariu, si fshatari dhe studenti, si malësori edhe fusharaku.
Ai u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Copëz nga intervistat e shkrimtarit:
Gazetari: Më thoni një rast, kur e keni konsideruar veten me fat?
Dritëroi: Rasti më i madh që e kam konsideruar veten me fat ka qënë ai kur mē kanë vërshëllyer plumbat në të dy veshët dhe nuk mundën të më vrisnin. Kjo ka ndodhur në operacionin e qershorit të 1944-ës, operacion i gjermanëve pushtues. Dhe rastin e dytë, që e quaj vërtet fat, unë mund ta dalloj atë ditë, kur u vendos në ministrinë e Arsimit, më 1952, që të shkoja të studioja jashtë shtetit (në Rusi).
Gazetari: Më thoni një rast, kur e keni konsideruar veten fatkeq?
Dritëroi: Njeriu në jetë, ka shumë orë, ditë dhe vite kur ndodhet në fatkeqësi , ashtu siç ka edhe çaste kur gjendet në fatmirësi . Por unë do të veçoja vetëm një vit, kur e kam quajtur veten fatkeq, vitin 1991, kur shumë shokë, përkohësisht, m’u larguan për arsye të mendimeve të ndryshme politike mes meje dhe mes atyre. Ndër këta shokë, kishte plot edhe nga ata , që unë i pata ndihmuar në çaste të vështira të jetës së tyre.
Gazetari: Çfarë pēlqeni te miqtë tuaj?
Dritëroi: Tek miqtë pëlqej ardhjen në shtëpinë time, pa ceremoni dhe pa drojtje, thjesht pa telefonuar, vetëm me një trokitje në derë dhe me një thirrje: “A je brenda, o lumëmadh!”
Gazetari: Çfarë ju duket bezdisëse te miqtë tuaj?
Dritëroi: E mërzitshme tek miqtë e mi më duket kur më pëshpërisin: “ filani tha kështu dhe ashtu për ty, se është hileqar dhe i poshtër, se ka miqësi edhe me atë hipokritin,” . Me një fjalë, më mërzisin miqtë thashethemtarë. Më duket e mërzitshme edhe kur më shpojnë rrugës me bërryl, e më thonë: “e sheh atë atje?”
Gazetari: Cilën gjë e bëni me shumë dëshirë dhe cilën e bëni me përtesë?
Dritëroi: Unë jam një qënie njerëzore dhe zakonisht qëniet njerëzore i bëjnë me qejf ose gjërat e ndaluara, ose gjërat e rastësishme. Ju e keni vënë re në vitet shkollore , kur nuk lexonim letërsinë e detyruar, por lexonim atë që nuk e kishim në program. Sipas Biblës, Eva dhe Adami, synuan drejt mollës së ndaluar. Rrjedhimisht, unë e kam kryer me përtesë atë që e kam patur për detyrë, përveç detyrës ndaj Atdheut, që ngaherë e kam patur mbi gjithçka, edhe mbi jetën time.
Nga: Elona Agolli