Vijnë për herë të parë në Shqipëri, punimet e mjeshtrit shqiptar të njohur botërisht. Të 25 punimet artistike, do t’i mbeten pinakotekës së ndërtuar pranë kishës katolike, në qytetin e lindjes së piktorit, në Shkodër.
Lin Delia është i pari artist shqiptar, i cili, dëshmoi përmes pikturës kudo në botë një epokë të errët. Regjimin komunist, ai do ta luftonte me t’u arratisur nga Shqipëria drejt Italisë, në vitin 1948, tre vjet pasi në vend hodhi rrënjë diktatura.
Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra, teksa foli për veprat e tij u shpreh se ky artist i madh na flet edhe sot nëpërmjet artit.
Ndërsa nipi i artistit shqiptar shumë të njohur jashtë vendit të tij, Tomi Delia, thotë se Atdheu ishte në shpirtin e piktorit gjatë gjithë viteve të emigrimit, ndërsa ka treguar se një peng i madh i tij, mbeti familja.
Pedagogu i arteve pamore Rubin Mandija, është shprehur se në vlerat e Lin Delisë ka dy tematika: ajo fetare dhe e ajo persekucionit komunist.
Lin Delia u largua nga Shqipëria në vitin 1948, ndërsa ishte student françeskan i liceut “Ilirikum”. Fillimisht studio në Hercegnovi të Malit të Zi, për të vijuar Akademinë e Arteve në Zagreb dhe më pas, për t’u vendosur në Itali, diplomuar për pikturë në Akademinë e Romës.
Në qytetin e Antrodokos, në vitin 1969 krijoi Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe më 1983, krijoi Akademinë e Artit “Carlo Cesi”. Në punimet e tij ndërthuret modernia me elementin etnik shqiptar dhe ballkanik. Spikati shpejt në Romë me një sërë ekspozitash.
Lin Delia realizoi të gjitha portretet e françeskanëve të mëdhenj, si: Fishta, Harapi, Shllaku, Prennushi etj., ndërsa ka ekspozuar në New York, Quebek, Mynih, Madrid, Berne e shumë e shumë qytete të tjera.
Vdiq në vitin 1994 dhe la pas qindra punime, të cilat ndodhen në muzeumet e artit nëpër Itali dhe në Vatikan dhe shtete të tjera. Në këto 30 vite emri dhe vepra e Lin Delisë janë lënë në harresë totale edhe pse është një artist me famë botërore.
Lin Delia lindi në Shkodër, më 3 shkurt 1926 dhe u nda nga jeta në mërgim, më 9 prill 1994.
Veprat e tij ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkohor në Romë, në Muzeumin «Lin Delija» në Antrodoko, në Muzeumin Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeumin e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangenit në Gjermani, në Nju Jork etj.
Në Osimo gjendet muzeu kushtuar mjeshtrit Delia, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodokos i kanë ngritur një muzeum në vitin 2002, në qytetin ku ai jetoi.