MENU
klinika

Poeti dhe miku

Dushko Vetmo, kjo lartësi e përulur…

18.11.2021 - 15:53

         Frangjisk Solano, njohur si Dushko Vetmo (1914-1999), ishte poet; lindi në fshatin arbëresh Frasnitë; në Buenos Aires të Argjentinës u rrit, mësoi teologji, mësoi gjuhët spanjisht, portugalisht, anglisht, japonisht, rusisht; njihte mirë latinishten, greqishten e vjetër dhe atë bizantino-kishëtare (i pari që ka përkthyer shqip poezi klasike japoneze nga origjinali); u kthye në vendlindje si prift; u njoh dhe bëri emër, si studiues i letërsisë dhe i folklorit arbëresh, prozator, fletorar, shef katedre për shqipen në Universitetin e Kalabrisë (atje dhe sot një nga aulat mban emrin e tij, aula Solano); ishte mik i Koliqit, Camajt, Çabejt e i gjithë studiuesve të letërsisë, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare, gramatikan, profesor, pjesëmarrës në kongrese e seminare për gjuhën dhe kulturën shqiptare, i dekoruar me urdhra të lartë nga shteti shqiptar (mbase i vetmi prift në botë i dekoruar që për së gjalli, nga komunistët shqiptarë), por … ishte poet.


Lindi më 18 nëntor 1914, arbëresh me origjinë nga familje çame, në Frasnitë të Kalabrisë.

Pas njëzet vjetësh qëndrimi në Argjentinë, Uruguaj dhe Kili, kthehet në Itali. Ishte studiues, themelues dhe titullar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe dhe i Dialektologjisë arbëreshe në Universitetin e Kalabrisë, në Kozencë, që prej vitit 1975 deri në vitin 1990. Njihet si nismëtari i botimit të revistës “Vija”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve Arbëreshë.

Në fushën e gjuhësisë njihet si autor i gramatikës “Manuale di lingua albanese”. Në fushën e dialektologjisë arbëreshe botoi një sërë botimesh për dialektet arbëreshe dhe disa të folmet si ajo e Pellatënit, edhe ajo e Fermës.

Në fushën e filologjisë botoi veprën e Anton Santorit, “Emira” dhe Katekizmin arbërisht të Shën Vasilit. Ka shkruar veprat: “Burbuqe të egra”, “Akullnajat”, “Shkretëtira prej guri”, “Bijtë e Dodonës”, “Dhaskal Mitri” e të tjera. Vdiq më 20 mars të vitit 1999. Ne foto majtas, Frangjisk (Francesco) Solana rreth vitit 1990, ndersa ne foton e rrallë djathtas (në këmbë, i rrethuar) me miq.

***

Në fshatin tim të lindjes, një Xhelo, vajti në Argjentinë, fitoi para dhe, në vitet ’20, u kthye dervish drejt e në teqenë e fshatit, ku la gjithë paratë e kurbetit, la jetën e tij, arriti të ngrihet gjer në shkallën e një ati bektashi dhe vdiq po aty, duke i braktisur gjithë gëzimet dhe interesat e tjera të një njeriu të gjallë. Kjo m’u kujtua para disa viteve në Frasnitë, në fshatin e Solanos. Solanoja, i kthyer nga Argjentina, pasi kishte botuar në Buenos Aires librin e parë me poezi “Burbuqe t’egra”, të parin libër të letërsisë arbëreshe të re, të pas luftës së dytë botërore, u vendos si prift në fshatin e vet. Ai ishte shtatpakët, po me një pamje fisnike dhe shumë mbresëlënëse. Në shtëpinë e tij, ku tashmë jeton Maria, e motra, dhe kjo e pamartuar, ka lënë shumë dorëshkrime: studime, leksionet e tij si titullar i katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Kozencë, katedër të cilën e themeloi ai, ku janë mbrojtur me qindra diploma e me dhjetra doktoratra mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe e shqiptare.

“Në fshat e thërrisnin “zot”, “erdhi zoti”- kështu arbëreshët i drejtohen priftit, –  por kjo, Solanos i shkonte.

Ai ishte njeri kulture dhe kishte atë virtytin e mentalitetit të zgjeruar, të gjykimit të shëndoshë, mentalitet që sjell pajtimin nga që mpreh aftësinë që t’i shohësh sendet dhe fenomenet jo vetëm nga një pikëpamje e ngushtë, jo vetëm nga pikëpamja jonë; kishte dhe virtutin e shijes, rreptësinë për të qenë një personalitet i ngulët, por me dashuri të padallimtë e të pakufizuar për gjithçka që është e bukur dhe me vlerë.

Kështu, i pajisur me shumë njohuri dhe me shumë talente, mbi të gjitha me dy virtytet që vumë në spikamë më sipër, ky njeri ka prodhuar kulturë, ka sjellë cilësi të reja ndër arbëreshët dhe për krejt atë që e quajmë botë shqiptare.

I mëshuam pak anës personale të “sjelljes” së tij intelektuale për dy arsye. Së pari, për t’ia dalë tej asaj që nuk ishte vetëm mik i Koliqit, po edhe i shumë studiusëve dhe profesorëve shqiptarë marksistë ose jo të tillë.

I lidhnin punët pastaj dhe shijimi nazik i verës dhe i të ngrënave tradicionale arbëreshe: Koliqit sa herë që i binte në kokë për verë të mirë, të kuqe, ia behte te Solanua; Çabeut nga kjo verë i përskuqeshin lehtësisht mollëzat paksa të dala të faqeve, dhe së dyti, asaj tjetrës, që ky “zot” u dekorua nga stalinistët tanë, ndërkohë që, po të jetonte në Shqipëri, do t’ia kishin thyer kërbishten diku andej nga këneta e Maliqit a e Hoxharës. Dushko Vetmo, siç thotë Konica për Gjeçovin, dinte të ishte një lartësi e përulur” – do të shktuante për poetin arbëresh, Sadik Bejko.