“Unë jam bir i dy qytetërimeve, që në një epokë të caktuar të historisë krijuan një martesë të lumtur. I pari, i lashtë shtatëmijë- vjeçar, është qytetërimi faraonik; i dyti, njëmijekatërqind vjeçar, është qytetërimi islamik”, – u shpreh Nagib Mahfuz në fjalimin e Nobelit.
Letërsia arabe mund të gjurmohet deri në dymijë vjet më parë./Konica.al
Zhanri më i spikatur ka qenë gjithmonë poezia, mirëpo paralelisht kemi edhe një traditë të lashtë tregimtarie që shprehet në një mori formash gojore. Në Egjipt, koleksioni i tregimeve “Netët arabe”, një seri tregimesh indiane, iraniane dhe irakiane, u soll në formën përfundimtare dhe më të zhvilluar, gjë e cila përkon me traditën e lashtë egjiptiane të rrëfimit, që ka mbetur e jetësuar deri në ditët e sotme, tregimtari publik ka qenë një institucion kulturor për shekuj me radhë. Zhvillimi i romanit modern egjiptian pasqyrohet, dhe arrin kulmin në gjysmëshekullin e punës së Nagib Mahfuzit, laureat i çmimit “Nobel” në 1988, shkrimtari i parë në gjuhën arabe që mori këtë çmim prestigjioz. Mahfuzi nuk i lë asgjë rastësisë: ai pëlqen saktësinë dhe strukturën, e llogarit jetën e përditshme deri në minutë. Autori nuk e konsideroi asnjëherë veten fabulist, përkundrazi veten e shihte në misionin me përgjegjësi të madhe të shkrimtarit. Duket sikur Nagib Mahfuzi ka zënë vendin e nderit mes skribëve të lashtë egjiptianë. Autori udhëhiqet gjithmonë nga besimi në vazhdimësinë dhe madhështinë egjiptiane, me themelet e lëkundura herë pas here nga historia e trazuar, çoroditja e mendimit dhe fatkeqësia. Në krijimtarinë e tij përcillet një besim i palëkundur në të drejtën morale dhe kërkimi i vazhdueshëm për identitetin egjiptian pas indeve të iluzionit dhe realitetit. Një banor i së vërtetës, i paaftë për ta përkufizuar atë, Mahfuz është – ashtu si hetuesi Meriamun, në romanin mbi Akhenatein enigmatik, në ndjekje të vazhdueshme të vetes.
Mahfuz e filloi karrierën si shkrimtar, duke eksploruar historinë e lashtë egjiptiane. Vlen të theksohet, se këtë nuk e bëri për të kuptuar skenën bashkëkohore, aq më pak për ta kritikuar indirekt atë. Synimi ishte të kërkonte identitetin e vendlindjes në hapësirë-kohën e ekzistencës së tij dhe në sferën e Vetes. Duke qenë një autor arab, ai i kapërcen kufijtë e traditës arabe dhe myslimane, të cilës i përket, duke gjurmuar trashëgiminë dhe duke kërkuar identitetin si egjiptian. Novelat dhe tregimet e Mahfuzit janë vepra arti, që paraqesin mjedise nga kohërat më të lashta deri në jetën e përditshme bashkëkohore. Lulëzimi dhe perëndimi është tema e shumë romaneve dhe tregimeve për Kajron e lashtë dhe modern, duke përfshirë edhe kryeveprën realiste që i solli autorit famë universale dhe çmimin “Nobel” “Trilogjia e Kajros” (“al-Thulathiyya”), “Rruga e sheqerit”, “Pallati i dëshirave” etj. Është e lehtë, shumë e lehtë, të përshkruash gjurmë letrare të botës kaotike të jetës dhe kohërave të tij. /Konica.al/Ka shumë histori të rënies moderne dhe mungesës së rregullit dhe besimit, por ato janë edhe eksperimente letrare në gjinitë moderne të prozës. Ashtu si Osiris, Mahfuz shqyrton dhe vlerëson standardet e sundimit, jetës dhe qytetërimit egjiptian. Ashtu si në oborrin e Osiris, Isis dhe Horus, ka një sërë pyetje-përgjigjesh, por ne mbetemi pa përgjigje. Kërkimi i autorit është një gjueti e përhershme. Përveç çmimit “Nobel”, në vitin 1989 Mahfouz mori “Medaljen Presidenciale” nga Universiteti Amerikan në Kajro. Në vitin 1992, u zgjodh Anëtar Nderi i Akademisë Amerikane dhe Institutit të Arteve dhe Letrave, ndërsa në vitin 2002 u zgjodh në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Shkencave.
Autorësia e Mahfuzit trajton disa nga çështjet themelore të jetës, përfshi kalimin e kohës, shoqërinë dhe normat, dijen dhe besimin, arsyen dhe dashurinë. Shpeshherë përdor qytetin e lindjes, Kajron, si sfond për tregimet, ndërsa disa nga veprat i ka vendosur në Egjiptin e lashtë. Më vonë, epoka moderne dhe jeta në shoqërinë në ndryshim u bë fokusi i të shkruarit të tij, edhe pse disa nga veprat e mëvonshme kanë një karakter më mistik ose metafizik. Puna e Mahfuzit përfshin më shumë se 30 novela dhe 350 tregime të shkurtra, në një kohë që shumë prej veprave të tij janë përshtatur për ekranin.
“Mbrëmje e bekuar” – Një histori klasike e Mahfuzit që eksploron temat e martesës përtej linjave klasore, shpirtërore dhe realitetet e ashpra të një jete të pasigurt. Personazhi kryesor në këtë roman udhëhiqet nga motoja: “Le të jetë jeta e mbushur me çmenduri të shenjtë deri në frymën e fundit”./Konica.al