“Një deklaratë dashurie për rrënjët, një lidhje e fortë me origjinën, një jehonë e së shkuarës”, këto janë ndjesitë me të cilat, Loris Guzzeta përshkruan kalendarin e parë arbëresh në histori.
“Këto imazhe që i mbaj brenda prej vitesh, janë deklarata ime e dashurisë për trashëgiminë kulturore të cilës i përkas. Brenda kalendarit është aroma e ëmbëlsirave tona të sapopjekura, aroma e temjanit në ditën e Pashkëve, por mbi të gjitha simbolika fetare e veshjeve të grave arbëreshe, unike në botë për lulëzimin dhe bujarinë e tyre”, – thotë për “Diaspora Shqiptare”, Guzzetta.
Edhe “përbërësit” e këtij projekti janë vendas, Caterina Cangialosi, modelja kryesore është me origjinë nga Piana degli Albanesi. Fustani që ajo ka veshur është qëndisur në ar, në fillim të shekullit të kaluar nga gjyshja nga nëna e fotografit me rastin e dasmës së saj. Rripi ishte një dhuratë nga gjyshi, për gjyshen në ditën e fejesës, siç edhe e kërkon tradita arbëreshe.
Ndrësa në muajt e verës shfaqen edhe dy mbesat e fotografit, me veshje tradicionale. Intelektuali dhe koleksionisti arbëresh Stefano Schiró kontribuoi në aksesorët dhe stilimin.
“Ishte vërtet një përpjekje në grup, nëna ime Anna Fileccia u kujdes për pjesën logjistike dhe organizative, Giusy Schiró (ekspert i gjuhës arbëreshe), kontribuoi në hartimin e tekstit dhe në përkthimet”, shpjegon për “Diaspora Shqiptare“, Guzzeta.
E kaluara bëhet e pranishme në këto imazhe, që, së bashku zbulojnë dhe festojnë kulturën e pakicës etnike të Piana degli Albanesi. Kalendari gjithashtu pritet të bëhet ekspozitë fotografike në të ardhmen e afërt në një datë dhe vend që do të përcaktohet.
Me origjinë nga Piana degli Albanesi, pas studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura Brera, Loris Guzzetta diplomohet për Komunikim Vizual në Universitetin e Birminghamit në Angli.
Aktualisht jeton dhe punon në Nju Jork dhe ndër klientët numëron marka të njohura ndërkombëtare, si: L’Oréal, Ann Taylor, Erno Laszlo dhe Beautyblender.