27 Dhjetori shënon 450-vjetorin e lindjes së Keplerit (27 dhjetor 1571 – 15 nëntor 1630), astronomit që zbuloi ligjet e lëvizjes planetare në sistemin diellor./Konica.al
Kepleri ishte personalitet i shumanshëm, filozof i lindur dhe matematikan, astronom dhe teoricien i muzikës, sipas prirjes mjaft të përhapur në epokën e tij, ku shpesh “dijetarët” dinin pak nga të gjitha. Si shumë shkencëtarë të asaj epoke (përfshi Galileon, bashkohës i tij), ai nuk e përçmoi praktikimin e astrologjisë. Nga njëra anë, sepse asokohe astronomia dhe astrologjia plekseshin në një limbo të vetme gati njëlloj të rëndësishme, nga ana tjetër sepse astrologjia… të sillte goxha të ardhura.
Sytë drejt qiellit
Kepler vinte nga një familje ekonomikisht e rrënuar: babai e fitonte bukën e gojës si ushtar mercenar dhe, kur Johanes ishte pesë vjeç, ai u largua për të mos u kthyer më kurrë, ndoshta u vra luftën tetëdhjetëvjeçare që zhvillohej nga provincat e Vendeve të Ulëta kundër pushtuesve spanjollë. E ëma, e cila ushtronte atë që në ditët e sotme e quajmë mjekësi alternative, u akuzua për magji. Në vitin 1577, kur Johanes ishte vetëm gjashtë vjeç, e çoi në një lartësi nga ku mund të shihte (me sy të lirë, sepse teleskopi nuk ishte shpikur ende) kometën e shndritshme që kaloi atë vit. Ajo kometë u vëzhgua edhe nga danezi Tycho Brahe, i cili ishte astronom (dhe astrolog) i njohur, për të cilin mbreti Frederiku II i Danimarkës po ndërtonte atë që do të bëhej një nga observatorët më të famshëm të antikitetit: Uraniborgun, në ishullin e Hvenit. Nga ai observator, Brahe kreu matje të sakta mbi lëvizjen e planetëve, veçanërisht të Marsit, duke grumbulluar të dhëna të çmuara. Në vitin 1601, kur u bë astronom i oborrit të perandorit Rudolf II të Habsburgut, Perandori i Shenjtë Romak, e ftoi Keplerin të bëhej asistenti i tij në Pragë, bota e shkencës ishte ende në mes të mosmarrëveshjes midis sistemit ptolemaik (me Tokën në qendër të të gjithëve) dhe sistemit kopernikan (ne Diellin në qendër).
Ptolemaik apo kopernikan?
Sistemi i fundit, i kundërshtuar ashpër nga kisha, ishte zhvilluar tërësisht nga Nikolla Koperniku, i cili e ilustroi edhe në traktatin “De revolutionibus orbium coelestium” (“Mbi revolucionet e trupave qiellorë”), i cili u shtyp në 1543, në ditët kur vdiq vetë Koperniku. Midis heliocentrikëve dhe gjeocentrikëve, Tycho Brahe qëndronte në mes, pasi kishte zhvilluar sistemin e ndërlikuar të orbitave, në të cilin Dielli ishte vendosur në qendër të sistemit, por rrotullohej rreth Tokës. Ky kaos… planetar u sistemua nga Kepleri, një kopernikan i patundur, i cili pas vdekjes së papritur të Brahes, në fund të vitit 1601, mori në dorë vëzhgimet mbi lëvizjen e planetëve të bëra nga mësuesi i tij dhe, në vitin 1609, shpalli dy ligjet e para të lëvizjeve planetare./Konica.al
Ligjet e Keplerit
Veçanërisht i pari turbullonte një dogmë mijëvjeçare, sipas së cilës orbitat e objekteve qiellore duhet të ishin rrethore. Si rrjedhojë, nga llogaritjet e Keplerit rezultonte se orbitat eliptike rreth Diellit funksiononin shumë më mirë për planetët dhe se ky i fundit ishte në një nga vatrat e elipsit. Nga ana tjetër, ligji i dytë tregoi se shpejtësia me të cilën lëvizin planetët në orbitat e tyre nuk është konstante, por ndryshon sipas distancës nga Dielli: është më e madhe kur ata janë më afër yllit tonë, më e vogël kur janë më larg. Disa vite më vonë, në 1618, ai nxori edhe ligjin e tretë, i cili lidh periudhën e orbitës të një planeti me distancën e tij mesatare nga Dielli.
Shkencë dhe fantashkencë
Më 1627, Kepleri përfundoi veprën e papërfunduar të Tycho Brahes: “Pllakat rudolfine” (në kujtim të Rudolf II të Habsburgut, i cili ndërkohë kishte vdekur). Ishte një katalog me pozicionet shumë të sakta të rreth 1400 yjeve, 1005 prej të cilëve të matura nga Brahe, si dhe me harta për identifikimin e planetëve. Pllakat, megjithëse të krijuara për qëllime astrologjike, në fakt ishin një mjet i mahnitshëm astronomik, i cili u përdor për shekuj me radhë. Vitet e fundit të Keplerit qenë tejet të trazuara. Në vitin 1613, ai u shkishërua për pretendimin se Hëna ishte një trup i fortë, kurse nga viti 1617 iu desh të ndiqte procesin e gjatë gjyqësor të së ëmës akuzuar për magji, ku përdori ndikimin e tij për të shmangur vdekjen në turrën e druve. Po ashtu, u gjend edhe në vështirësi të rënda ekonomike. Vdiq i varfër, në vitin 1630, në moshën 58-vjeçare. Pas vdekjes, doli postum“Somnium”, një histori e shkruar prej tij, që tregonte për një të ri imagjinar islandez (në fakt vetë ai), me nënën e tij shtrigë, së cilës një demon i zbulon ekzistencën e një ishulli të quajtur Levania (në fakt, Hëna). Dhe si demonët mund të transportojnë atje herë pas here njerëzit, për të mos pësuar traumat e udhëtimit. Historia është një mundësi për të përshkruar Hënën në detaje, eklipset, faktin që ajo gjithmonë kthen të njëjtën fytyrë drejt planetit tonë. “Somnium” (“Ëndrra”) konsiderohet nga shumë njerëz si novela e parë e vërtetë fantashkencë. Ndër interesat e ndryshme, Kepleri kultivoi atë të muzikës, të cilën me gjeometri e konsideronte mjet të fuqishëm për të kuptuar botën që na rrethon. Ndoshta ai do të ishte i kënaqur të dinte se, shekuj pas vdekjes së tij, si për ironi, tri ligjet e tij themelore të lëvizjes planetare do të përdoreshin në muzikë./Konica.al