Numri i viktimave nga zjarri përbindësh në Kaliforni ka arritur në 44, duke e bërë atë më vdekjeprurësin në historinë e zjarreve të rëna në këtë shtet.
Mijëra zjarrfikës kanë kaluar ditën e pestë duke u përpjekur fusin nën kontroll të ashtuquajturin “Camp Fire” në pyjet e zonës malore Sierra Nevada, në veri të Sacramentos, ndërkohë që ekipet e kërkim-shpëtimit kanë pasur një mision të zymtë, atë të rikuperimit të trupave të pajetë.
“Deri më sot që flasim, edhe 13 trupa të tjerë të pajetë janë rikuperuar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 44”, tha sherifi i zonës, Kory Honea në një konferencë për shtyp të kthyer në të përditshme tashmë. “Zjarri është më vdekjeprurësi i rënë në historinë e Kalifornisë”, shtoi më tej Honea.
Edhe pse është vështirë të jesh i sigurtë, për shkak të mungesës së vazhdimësisë në mbajtjen e shënimeve apo kategorizimit, “Camp Fire” duket se do të konsiderohet si zjarri më vdekjeprurës amerikan në një shekull, që kur i ashtuquajturi “Cloquet Fire” shkaktoi vdekjen e afro 1.000 personave në Minnesota në vitin 1918.
“Camp Fire” është vatra më e madhe e flakëve të këtij “ferri” që detyroi rreth një çerek milioni njerëzish të largohen nga shtëpitë e tyre. Veç faktit që ka shkaktuar një numër historik viktimash,
“Camp Fire” është gjithashtu edhe më shkatërrimtari se çdo zjarr tjetër në histori, teksa ka shkrumbuar 6.500 shtëpi në qytezën Paradise, thuajse duke e zhdukur fare atë nga harta.
Më shumë se 5.100 zjarrfikës, që kanë ardhur edhe nga Uashingtoni e Teksasi, po punojnë për frenimin e këtij ferri të pazakontë, ndërsa ekipet e kërkimit të “viktimave në masë” po mbështeten edhe nga antropologë dhe një laborator ADN-je, për të identifikuar mbetjet që po gjenden ngado, shpesh të reduktuara deri në vetëm disa kocka.