MENU
klinika

FSHF prezanton punimet me video

Merr formë “shtëpia e re e futbollit shqiptar”

14.11.2018 - 15:24

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka inspektuar punimet që po kryhen në selinë e re të FSHF-së. Z. Duka, i shoqëruar nga presidenti i firmës ndërtuese z. Carapuli dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, është njohur nga stafi teknik mbi ecurinë e punimeve voluminoze që po realizohet në këtë kantier.

Duke folur për mediat, Presidenti i FSHF-së u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e punimeve dhe vlerësoi rëndësinë që ka kjo vepër moderne në pasurimin e infrastrukturës së futbollit shqiptar. Duka theksoi se “Shtëpia e Futbollit Shqiptar” do të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme bashkëkohore për të gjitha ekipet kombëtare.

Presidenti tha se kompleksi është një vepër madhore e futbollit shqiptar, sepse ofron kushte optimale pune për të gjitha ata që menaxhojnë e administrojnë futbollin, për ekipet kombëtare që janë shumë të rëndësishme dhe për të gjithë infrastrukturën që vihet në shërbimin e tyre.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të ndjekim projektet e zhvillimit, patjetër edhe të futbollit të luajtur, por edhe të krijimit të infrastrukturës për të përgatitur një futboll sa më të mirë, sa më modern e sa më bashkëkohor.

Ky është një kompleks të cilin ne e kemi quajtur Shtëpia e Futbollit Shqiptar. Është një kompleks sportiv në të cilin do të jetë i inkorporuar edhe kjo godinë e zyrave të FSHF-së që nuk është vetëm ambiente zyrash, por është për të krijuar të gjitha kushtet e domosdoshme për të gjitha ekipet kombëtare të futbollit”, – tha Presidenti FSHF-së.