MENU
klinika

Një intervistë rasti

Papa: Nuk jam shenjtor!..

07.02.2022 - 14:40

         Në një intervistë të rrallë në RAI, të dielën, Papë Françesku përcolli disa mesazhe”shumë njerëzore”.

Kreu i Selisë së Shenjtë zhvilloi një vizitë të papritur, në një dyqan disqesh, muajin e kaluar. Por, siç rrëfeu vetë ai, jo për blerje. Atje kishte shkuar për t’i dhënë bekimin sipërmarrjes së miqve të tij. Megjithatë, ai tregoi se e donte muzikën, kryesisht muzikën klasike dhe tangon.

“Pikë së pari, nuk shkova për të blerë. Ata janë miqtë e mi prej vitesh dhe riorganizuan dyqanin. Shkova për t’u dhënë bekimin. Ishte natë, por aty gjendej një gazetar e nuk kishte sesi të mos bëhej publik lajmi… Por është e vërtetë që dëgjoj muzike. Më pëlqen muzika klasike, por edhe tango”, – është shprehur Papa.

Pyetur nëse kishte kërcyer tango, gjatë rinisë së tij në Argjentinë, 85-vjeçari tha se “kush nuk di të kërcejë tango, nuk është porteno”, termi në spanjisht, për banorët në Buenos Aires.

Intervista u zhvillua me lidhje satelitore nga sttudioja e RAI-t në Milano, me rezidencën modeste të Santa Marias, ku jeton Papa në Vatikan.

Ai ka refuzuar të qëndrojë në apartamentet e izoluara, por me shumë hapësirë në pallatin apostolik të Vatikanit, si paraardhësit e tij. Kjo, pasi siç thotë, nuk është shenjtor.

“Një prej arsyeve përse nuk shkova të jetoj në apartamentin papnor, ishte pasi nuk jam shenjtor, si ata që kanë qenë atje përpara meje. Unë dua të kem marrëdhënie njerëzore e prandaj jetoj në këtë hotel në Santa Maria, ku mund të takoj e të flas çdo ditë me njerëz, apo miq. Kjo është një jetë më e lehtë, për mua. Kam nevojë për miq; ata nuk janë shumë, por të vërtetë”, – ka vënë në dukje Ati i Shenjtë.

Ndërsa intervistën, preferoi ta përfundonte me një kujtim nga fëmijëria.

”Kur isha fëmijë, doja të bëhesha kasap, pasi kur dilja në pazar me nënën dhe gjyshen, shihja që të gjithë paguanin kasapin. Dhe kur më pyesnin se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha, unë përgjigjesha: Kasap!”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ju kërkoj ndjesë, mbeta i bllokuar në ashensor"

Papa Francesko mbërrin vonë në meshë