MENU
klinika

Çmimi i paqes

1938: Kurthi që iu ngrit Çambërlenit në konferencën e Munihut

14.02.2022 - 11:45

         Konferenca e Munihut e vitit 1938, përgatiti kthimin e luftës në Evropë.

Duhej të ishte e kundërta, por Britania e Madhe dhe Franca i besuan Hitlerit.

Më 30 shtator 1938, një avion me dy motorë u ul në pistën e aeroportit “Heston”, Angli. Menjëherë, një turmë festive vërshoi rreth avionit. Nga barku i avionit doli i ngazëllyer Nevij Çmbërlen, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Në dorë valëviste një copë letre: ishte marrëveshja e Munihut, e saponënshkruar nga vetë Çambërleni, së bashku me homologët francezë, italianë dhe gjermanë./Konica.al

Me këtë marrëveshje legjitimohej aneksimi i rajonit të Sudetenlandit Gjermanisë, një pjesë e territorit të Çekosllovakisë, e banuar kryesisht nga popullsi etnike gjermane. Një marrëveshje e paqartë, e aftë për të përmbushur parimin e vetëvendosjes, mbi të cilin, të paktën teorikisht, u ndërtua rendi evropian pas Luftës së Parë Botërore dhe në të njëjtën kohë duke miratuar synimet ekspansioniste të Hitlerit, të bazuara në detyrim dhe dhunë ushtarake. Ndoshta ishte ky aspekti i fundit që bëri jehonë në mendjen e Çambërlenit. Në të njëjtën ditë, jashtë “Downing Street 10”, kryeministri britanik aprovon: “U ktheva nga Gjermania, me paqe për kohën tonë”. Pas këtyre fjalëve fshihen të gjitha ankthet e mëdha, që shqetësonin Britaninë e Madhe asokohe. Makthi i dobësisë, që po zvarritej ngadalë në Perandorinë Britanike dekadente, e cila vite më parë u detyroi ta fuste veten në Komonuelth për të mbajtur në thelb dominimet e saj brenda sferës së saj të ndikimit.

Makthi i socializmit dhe veçanërisht i “mishërimit tokësor të saj”, Unioni Sovjetik që shtrihej nga Brest-Litovsk në Vladivostok, sa i tmerrshëm, aq edhe misterioz e i huaj për politikanët evropianë. Por mbi të gjitha, makthi i luftës. Në mendjen e çdo qytetari të Anglisë dhe Evropës, imazhet e llogoreve, në të cilat, njëzet vjet më parë, një brez i tërë u dërgua në thertore në një katastrofë mbarëbotërore, që ndoshta askush nuk e kishte dashur vërtet, ishin ende tepër të gjalla. Dhe që të mos detyrohej Britania të jetonte një tjetër Somme, Çambërlen ishte i gatshëm të bënte gjithçka. Gjithashtu, për të plotësuar kërkesat e Fyhrerit. Nuk ishte hera e parë që Londra qëndronte pa lëvizur përballë zgjedhjes gjermane drejt marrëveshjes së Evropës. Në mars 1936, Hitleri kishte dërguar ushtarët për të ripushtuar Rheinlandin e demilitarizuar; në atë moment, me një ushtri gjermane në fazën larvore të procesit të rindërtimit, veprimet e shpejta ushtarake anglo-franceze do t’i jepnin fund përgjithmonë ekspansionizmit gjerman dhe regjimit nacionalsocialist. Mirëpo, Parisi dhe Londra heshtën. Pikërisht dy vjet më vonë, në mars 1938, ishte radha e Austrisë. Pasi provokoi trazira masive të brendshme falë agjentëve in loco, që kulmuan me vrasjen e vetë kancelarit Dollfuss, Hitleri dërgoi ushtrinë “si garanci kundër trazirave që po ndodhin”. Fyhreri e kishte provuar tashmë katër vjet më parë, në 1934; për ironi, kishte qenë Italia e Musolinit që e bllokoi Hitlerin, duke vendosur dy divizione në Brenner, të gatshëm për të ndërhyrë në rast të shkeljes së kufijve të Austrisë, ndërsa tani, në vitin 1938, Roma dhe Berlini janë aleate të forta dhe Musolini nuk ka më asnjë interes të bllokojë grushtin e shtetit gjerman./Konica.al

Një plebishit popullor sanksionon bashkimin zyrtar të Austrisë me Gjermaninë, sipas parimit të vetëvendosjes. Parisi dhe Londra heshtën sërish, por në Munih është ndryshe. Këtë herë Fuqitë e Mëdha demokratike nuk e pranojnë faktin e kryer. Gjatë atyre ditëve të negociatave, të paraprira nga njoftimet eksplicite gjermane për synimin për të përdorur forcën për të zgjidhur çështjen e Sudetit, Franca dhe Britania e Madhe vendosën të legjitimojnë kërkesat gjermane, pa e çuar as në tryezën e bisedimeve vendin objekt të diskutimeve. Munihu shënon kolapsin përfundimtar të sistemit të Versajës. Sovraniteti i Çekosllovakisë, për të cilin Franca dhe Britania e Madhe kishin garantuar për dy dekadat e mëparshme, sakrifikohet në altarin e realpolitikës. Bashkëpunimi mes Fuqive të Mëdha duket se është edhe një herë gurthemeli i politikës evropiane. Të gjithë për të mbrojtur paqen. Jo të gjithë ndajnë zgjedhjet e Çambërlenit. Më 5 tetor, më pak se një javë pas zbarkimit të Çambërlenit në Heston, një burrë merr fjalën në Dhomën e Komunave për të përcaktuar marrëveshjen e Munihut: “Një disfatë e përgjithshme dhe e plotë”. Bëhet fjalë për Uinston Çërçillin dhe është njeriu që do të marrë detyrën nga Çambërleni në më pak se një vit, kur Britania të përjetojë orën e saj më të errët. Gjatë bisedimeve, Adolf Hitler pohon se rajoni i Sudetenlandit përfaqëson pretendimin e fundit territorial të Gjermanisë naziste dhe se, nëse kërkesat e tij plotësohen, ai u jep fjalën se nuk do të vijojë t’i zgjerojë kufijtë gjermanë. Bashkëbiseduesit e besojnë. Më pak se gjashtë muaj më vonë, në mars 1939, ushtria gjermane pushton një Çekosllovaki të paaftë për t’i rezistuar, të shkatërruar nga kryengritjet e brendshme dhe të privuar nga instalimet mbrojtëse që kishte ndërtuar me zell përgjatë kufijve me Gjermaninë kërcënuese në dekadat e mëparshme.

Iluzionet e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar për një të ardhme paqësore thyhen përpara kolonave të Wehrmacht që marshojnë në Pragë. Të dy nisin një program të menjëhershëm riarmatimi, të vetëdijshëm se përplasja do të jetë e pashmangshme. Por nëse epërsia e qartë ushtarake që dy fuqitë demokratike mund të gëzonin në dekadën e kaluar ishte gërryer ngadalë nga çdo lëshim i bërë ndaj revizionizmit të Hitlerit, pushtimi i Çekosllovakisë e kishte venitur plotësisht atë: duke pushtuar Pragën, Hitleri fitoi “Skodën” ose prodhuesen më të madhe të mjeteve të blinduara në Evropë në atë kohë.

Kur shpërtheu lufta, në shtator 1939, makineria ushtarake e rilindur gjermane pushtoi të gjithë ata që guxonin ta kundërshtonin. Në maj të vitit 1940, do të jetë radha e Francës, e thyer nga kompanitë gjermane që drejtojnë automjetet çekosllovake. Në të njëjtën kohë, Nevij Çambërlen, i bombarduar nga kritikat për sjellje joefektive të konfliktit, detyrohet të japë dorëheqjen dhe zëvendësohet nga Çërçilli, ndërsa ushtarët britanikë e gjejnë veten duke luftuar të njëjtin armik, në të njëjtin territor të njëzet e pesë viteve më parë, në luftën që diplomati i moshuar anglez ishte përpjekur ta shmangte me çdo kusht./Konica.al