MENU
klinika

Kauza e Teatrit

Pse kauza e Teatrit nuk kthehet dot në kauzë elektorale?

17.07.2018 - 12:45

Opinioni publik është dominuar rishtazi nga debati për zëvëndësimin e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar me një të re, në hapsirën urbane të së cilës do të vendosen edhe disa qiellgërvishtës, që rëndom identifikohen si kulla. Një operacion në termat e një inxhinieringu financiar, që nënkupton se shteti ofron asetet e tij infrastrukturore, ndërsa privati ofron asetet e tij financiare në këmbim të ndërtimit të një vepre publike. Ku një godinë me vlera të caktuara historike, emocionale sakrifikohet.

Jashtë hullive politike rreptësisht të distancuara nga njëra tjetra është tërheqëse të gjesh një inisiativë që mbase mund të bashkojë të pabashkueshmen. Përfshirja e opozitës në një betejë si kjo vjen qartësisht pse ajo beson në potencialin elektoral të përplasjes. E ky besim elektoral, vjen si rrjedhoje e pandehmës se tema e godinës së re të teatrit nëpërmjet prishjes së të vjetrës, ka një potencial të qartë për të krijuar një aliazh të vetëm laraman duke unifikuar njerëz me prejardhje të ndryshme politike, brenda vendit dhe nga diaspora, me edukim dhe interesa të ndryshme, aktivistë socialë dhe artistikë të të dy krahëve, etj, që kundërshtojnë njëzëri projektin e qeverisë. E pikërisht në kohën kur vendi lëngon nga ndarjet e prera midis të majtës dhe të djathtës, kjo çështje mund të bëhej kësisoj një dëshmi e rrallë, por e bukur e pluralizmit shqiptar, ku njerëzit bëhen bashkë pavarësisht asaj çka duket se është interes politik, partiak apo edhe financiar. Një tjetër rast, shqiptarët e patën në vitin 2013-të me armët kimike. Edhe në të ashtuquajturën betejë kundër asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri u bashkua një front i tillë heterogjen në përbërje, por që unifikohej në një kauzë komunitare. Ishte një rast i ngjashëm ku begatia e pluralizmit shqiptar u shpërfaq në madhësinë e saj.

Një tjetër aspekt pozitiv në këtë reagim të shqiptarëve lidhet edhe me opozitën. Në kushtet kur kjo e fundit nuk arrin të rezonojë me atë pakënaqësi të madhe popullore (sociale, politike, ekonomike) që supozohet se gjendet e pranishme në poret e shoqërisë, mbetet e rëndësishme elektoralisht çdo lloj kauze tjetër, edhe artistike që tenton të mobilizojë energji të tilla. Ajo i jep shoqërisë dialektikën e përplasjes së ideve të ndryshme, tipike për një shoqëri demokratike ku shfaqet haptazi pluralizmi i mendimeve. Pikërisht si dëshmi e kësaj shpalosje qasjesh të ndryshme, gjatë kësaj periudhe kemi parë kundërvënie, forume debatesh publike, protesta, mobilizime paçka se numerikisht modeste, shpërthime retorike të bukura nga pikëpamja e të folurit publik, afrim të oratorëve të rinj në ushtrimore demokratike si këto. Pa lënë mënjanë edhe përfshirjen e mendjeve të ndritura të kombit, të cilat ndërtojnë madje dhe paralele me ngjarje të ngjashme jashtë nesh, duke e globalizuar debatin si është rasti i Lubonjës, Plasarit, Fugës, etj. Një pjesë e këtyre opinioneve që sillnin modelet e ngjashëm- rasti i Shkupit me Gruevskin- në fakt potenconin një dimension real të asaj që po ndodh : qeveritë me forcën e shumicës dhe mund t’ja ndërrojnë fytyrën qendrave të qyteteve. Nuk po hyjmë këtu në konsiderata se cila është zgjedhja më e mirë.

Ku jemi sot ama?

Pikërisht ata që i prinë kësaj beteje që në minutat e para; aktorët e teatrit duke se janë tërhequr, ose së paku janë përçarë. Partitë opozitare bënin sikur e mbështesnin së jashtmi protestën, por tani që fronti i artistëve ngjan i përçarë, muzika ndryshon. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur të ndërhyjnë duke menduar se edhe ata kanë të drejtën për të mbrojtur kauzën e mbrojtjes së teatrit, duke i prirë lëvizjes që formalisht duhet të ishte apolitike.

Por le t’i japim një këndvështrim diferencues kësaj ngjarje. Nëse tek armët kimike, fronti qytetar me përbërje heterogjene qëndroi i unifikuar në mënyrë të natyrshme deri në fund, pa u politizuar, madje duke refuzuar politikën, në rastin e teatrit në lojë kanë hyrë interesat private, qofshin të atyre që përfitojnë nga prishja, qofshin të aktorëve të veçantë që mund të kapitalizojnë rezistencën solo apo në kor. Debati për teatrin tashmë ka marrë ngjyresat e leverdisë politike duke përçarë qëndrimin e frontit kundër shembjes dhe njëherësh duke rrëzuar mbipartitizmin e kauzës. Interesat, por jo vetëm ato, ia dolën që ta çajnë këtë aleancë e cila u duk se ishte në rritje numerikisht, por që tashmë për shkak të frymës ndasore nuk ka më atë peshë që u besua se mund të krijohej në fillim.

Pse ? Shteti disponon shumë mekanizma ekonomike dhe financiare, të karrierës, etj, ndaj nuk do të ishte e çuditshme që të ketë shpërndarë benefite ekonomike aktorëve, pronarëve të mediave që të fashisin zhurmën kundër prishjes së teatrit. Me vonesë por sërish efikase, Bashkia e Tiranës dhe strukturat shtetërore në tërësi ia dolën të përfshinin dhe arkitektët në këtë debat publik. Opinioni i tyre sigurisht që ka pasur një farë influence, apo ka legjitimuar ata që ndërruan mendjen. Nëse do të kërkohej të ndalohej ky operacion inxhinieringu financiar për shndërrimin e qendrës së Tiranës do të duhej patjetër një aleancë heterogjene, ku të përfshiheshin edhe grupet e interesit, përpos partive politike. Diçka e tillë u duk në fillim se po shkonte drejt kësaj rruge, por përfundoi duke u përçarë. Pikërisht pyetja “kush përfiton çfarë” në zbatimin e këtij projekti inxhinieringu- financiar në partneritet me privatin është ajo që ka dobësuar edhe më shumë frontin oponent për projektin e teatrit të ri. Edhe pse formula e partneritetit publik-privat është provuar botërisht si e suksesshme, në rastin e teatrit do të duhet që përpjekjet të fokusohen pikërisht në këtë pjesë të diskutimit: të bërit transparent sesa përfiton shteti nga ky projekt?

Dhe këtu ngjan se futja e debatit në hulli institucionale është pjesa më e drejtë e aksionit të opozitës. Nisi me përfshirjen e komisionit të medias, udhëhequr nga Vokshi, i cili filloi të pyesë për përmasat e inxhinieringut financiar. Kush përfiton dhe sa përfiton, sipërfaqet e tokës së pronarëve, ish pronarëve, Teatrit, kompanisë « Fusha », etj. Ta futësh çështjen në këtë hulli, mund të kesh shans dhe ta bllokosh projektin, me rrugë gjyqësore apo institucionale. Po a ka interes opozita ta bllokojë me rrugë të tilla, kur rrugët spektakolare (më afër teatrit) ngjajnë më interesante?