Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano po zhvillon një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja, raporton News 24.
Takimi mes tyre vjen një ditë pas arrestimit të ish-deputetit të PS, Alqi Bllako, i akuzuar si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
“Arratia” 12-orëshe e Alqi Bllakos përplasi gjatë ditës së premte (1 prill) Policinë me SPAK.
Ish-deputeti i PS për më shumë se 16 orë u kthye në personazhin më të diskutueshëm në vend.
Zhdukja e tij pa gjurmë pas dhënies së vendimit të Gjykatës për ta vënë pranga, krijoi idenë se ai kishte marrë arratinë për t’i shpëtuar qelisë.
Policia e Shtetit në mos gënjeu, ishte e pazonja të gjente vendndodhjen e tij, deri në momentin kur ai u paraqit vetë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, vend në të cilin u tha se ishte edhe orëve të mesditës së të enjtes, por që askush nuk e pranoi dhe as e vërtetoi.
Policia e Shtetit u përgënjeshtrua nga SPAK, me anë të një deklarate të gjatë dhe të fiksuar me fakte dhe shkresa, duke i rrëzuar Policisë kohën e dorëzimit të tij, që në orët e para të së djeshmes, menjëherë pasi kjo Polici përdori zërin e saj zyrtar për të shpërndarë një njoftim gjysmak dhe krejtësisht joprofesional.
SPAK nuk u zmbraps nga fiksimi i orës në të cilën është bërë ndalimi i tij, duke theksuar 03:30 të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që Policia e Shtetit i tha opinionit publik me njoftimin 6 rreshtash se Bllako ishte vetofruar që mbrëmjen e së enjtes.
Në fakt, Policia e Shtetit gënjeu ditën e djeshme, që në mëngjes, pasi ishte kjo Polici që zyrtarisht i tha gazetës “Panorama” pak para mesnate që Alqi Bllako nuk ishte dorëzuar dhe madje nuk kishte shkelur në Polici përgjatë ditës së enjte, por që sapo të përfundonin procedurat nga ana e Prokurorisë, pra e SPAK, ai do të arrestohej dhe do të njoftoheshin mediat dhe opinioni publik.