“Kur zbulova filmat e Tarkovskit, për mua qe një mrekulli. Papritur u gjenda para dyerve të një dhome, çelësin e së cilës nuk e kisha. Një dhomë ku gjithmonë, kisha dashur të futem” (Ingmar Bergman).
Andrei Tarkovskij (4 prill 1932-29 dhjetor 1986) mbetet gjeniu më me ndikim i kinemasë ruse, filmat e të cilit renditen ndër më të mirët në historinë e kinemasë, ai është hieratik, mrekullibërës. Në kinemanë e tij realizohet magjia e një ekzistence tjetër. Futesh në një tjetër botë, në një botë ku gënjeshtra nuk ka vend, ku njeriu nuk luan me zare, por e shikon realitetin në fytyrë. Në të mjerimi i njeriut përshkruhet pa joshje: është një mjerim kaq i pështirë dhe i neveritshëm, saqë kërkon praninë e Zotit./Konica.al
Në “Solaris” (1972) Tarkovski e imagjinon planetin të përbërë nga një lëndë koloidale e aftë të pasqyrojë shpirtin e atyre që kalojnë nëpër të. Astronautët papritmas përballen me gjendjen e tyre morale. Jo me atë që duan të jenë, por me atë që janë në të vërtetë. Zbulimi i të vërtetës së brendshme të dikujt rezulton i padurueshëm dhe i neveritshëm. Astronautët zbulojnë meskinitetin e unit të tyre, të ndërthurur me falsitetin dhe egërsinë. Shfaqen obsesionet, pendimet, ndjenjat e fajit, për atë që kanë bërë, për vrazhdësinë e të mosdashurit. Kelvin takon fantazmën e së shoqes, e cila kreu vetëvrasje për shkak të tij. Vuan mundimin që nuk mund të ndryshojë asgjë, e rijeton me keqardhje atë që ka bërë, pa mundësi korrigjimi. Neveria për thelbin e vet moral është i llahtarshëm. I njëjti përshkrim i pamëshirshëm i mjerimit, që banon në shpirtin njerëzor (i korruptuar nga një materializëm gjithëpërfshirës) ndodh te “Stalker” . Në fund të filmit, në pragun e dhomës së dëshirave, dhoma që ka fuqinë të përmbushë atë që secili dëshiron në thellësi të tij (jo atë që thotë se dëshiron, por atë që dëshiron në të vërtetë) Shkrimtari vendos të mos hyjë, duke e shoqëruar zgjedhjen e tij me këtë frazë “nuk do të hyj në dhomë, sepse nuk dua t’i vjell askujt në fytyrë neverinë që kam brenda vetes”. E njëjta njohje dëshpëruese ndodh me Porkospinon, personazh enigmatik që vendos të hyjë në dhomë me dëshirën për të ringjallur të vëllanë, por që shpërblehet me një pasuri të papritur./Konica.al/ Kjo nënkupton se dëshira për para në zemrën e tij ishte më e fortë se dëshira për të rikthyer në jetë të vëllanë, Porkupine bën vetëvrasje. Mjerimi dhe kalbëzimi i shpirtit njerëzor janë arsyeja nxitëse për të gjithë filmat e Tarkovskit (në fakt të paktë, 8 në 25 vjet). Kësaj gjendjeje mjerimi, të cilin njeriu e ka arritur për shkak të prirjes së theksuar për hedonizëm dhe materializëm, si dhe për skllavërimin e plotë të shkencës dhe teknologjisë (pa kundërpeshën e nevojshme të etikës dhe ndërgjegjes), Tarkovski nuk ofron mundësi të mëdha shpengimi. Në të vërtetë, në filmat e tij, në mënyrë intransigjente dhe rigoroze, ai duket se pohon (në gjurmët e Haidegerit) se “vetëm një Zot mund ta shpëtojë njeriun nga degjenerimi i tij”.
Përballë divorcit midis njeriut dhe natyrës, përballë përkeqësimit që teknologjia dhe materializmi kanë gjeneruar brenda dhe jashtë qenies njerëzore, duke e shndërruar natyrën e njeriut në një natyrë të dytë (të cunguar, false, urbane) dhe duke e transformuar tokën në një gërmadhë shkatërrimi dhe spekulimi, kinemaja e Tarkovskit propozon rrugën e mundimshme dhe të vështirë të besimit. Besimi në Zot, në atë Zot që u bë njeri. Një njeri i pastër, që zgjodhi mërgimin nga bota, për të mos u përballur me përçmimin e shtypjes dhe mizoritë e historisë, që pranoi martirizimin për të shlyer mëkatet e njerëzimit. Protagonistët e filmave të Tarkovskit janë personazhe të krishterë: murgu “Rublev”, i çmenduri “Stalker”, protagonistët e “Sakrifica” janë personazhe që pranojnë të heqin dorë nga gjithçka (familja, shtëpia), madje pranojnë të konsiderohen edhe të çmendur, mjaft që të ndërtojnë një mburojë autenticiteti dhe shenjtërie; një zonë e shkëputur nga pjesa tjetër e botës, jashtë logjikës së shkatërrimit dhe rrënimit, një zonë që ruan shkëlqimin e ndjenjës, një vend i rigjeneruar vazhdimisht nga uji dhe era, i banuar nga Zoti. Heqja dorë nga bota dhe krijimi i këtij vendi të shenjtë përbëjnë aktin e besimit të personazheve tarkovskiane. Në këto vende, të kursyera nga shkatërrimi i fuqisë bërthamore, ose ndoshta të rigjeneruar pasi shkatërrimi bërthamor (simboli i mëkatit njerëzor) është përhapur në dëm të Krijimit, në këto vende, thuhet, personazhet kristikë të Tarkovskit lëvizin dhe ecin, të përjashtuar, por krenarë. Ata nuk duan asgjë. “Jam mirë kështu, – thotë Stalkeri, – nuk kam zili asgjë, kërkoj të më lënë të qetë Zonën time”, në këtë vend të shenjtë që kam krijuar për të mbijetuar, larg telit me gjemba dhe torturave që ju ia impononi vazhdimisht vetes. Në këtë vend, përsërit Stalker, gjithçka është e qetë, e heshtur, por mbi të gjitha “nuk ka burra, që mund të bëjnë keq”. […] I detyruar në mërgim (për të mos iu përmbajtur diktateve të propagandës imperialiste), Tarkovski na sjell filma të përjetshëm, ku ngjyra, lënda dhe bardh/e zi depërtojnë dhe vërtetojnë njëra-tjetrën, ku fotografia merr një rol artistik të bukurisë së pakufishme./Konica.al
Në to, çdo shkrepje është një pikturë, një ikonë e shenjtë. Dimensioni poetik tregon një prirje ngarkese, deri në thithjen e hipotezës së çdo komploti apo gërshetimi. Filmat e Tarkovskit janë filma asketikë, por pa tension, të përulësisë së skajshme. Duke përdorur sekuenca të gjata dhe të mençura, Tarkovski vë në skenë lutjen vetjake. Lutja e një kthimi në origjinë, në atë vend ku unë dhe Zoti jemi një. Në të cilën nuk ka varfëri, por mirësi. Atje ku është e mundur të shijoni bekimet e tokës, të miqësoheni me kafshët, të kapërceni frikën e mjerimin./Konica.al