Mund të ndodhë, që fundi i një epoke të madhe të jetë në gjendje të reflektojë mbi perëndimin e saj, duke e shndërruar vërtet në tablonë më autentike të të gjithë gjendjes njerëzore. Epoka e rënies së Perandorisë së Habsburgëve dhe e Austrisë së vjetër, në dekadat e para të shekullit XX, ishte pikërisht një nga këto epoka. Autori, që më shumë se kushdo tjetër, edhe për cilësinë e të shkruarit, identifikoi tiparin paradigmatik ishte Robert Musil, i cili arriti të shkrijë në veprën e tij dy aspektet themelore të kulturës së madhe austriake, shpirtin dhe saktësinë./Konica.al
Te Musil “Shpirti” identifikohet me gërmimin psikologjik dhe aftësinë për të përdorur mjetet e letërsisë (fjalë, shenjë, parabolë) për të zbritur në ato thellësi të neveritshme të egos, që në atë periudhë dhe në të njëjtin vend, ato do të zbërtheheshin edhe nga psikanaliza e Frojdit.
“Saktësia”, nga ana tjetër, mund të gjurmohet në qartësinë absolute të diktimit, në një prozë të pastër të paepur, edhe pse ndonjëherë e shkartisur me ironi, në saktësinë matematikore me të cilën shpërbëhen perëndimi i diellit, venitja dhe ndjenja e fundit.
Lindur në Klagenfurt më 6 nëntor 1880, vdiq në Gjenevë më 15 prill 1942, Robert Musil u përball me rënien e qytetërimit austriak, duke filluar me kryeveprën rinore “Pështjellimet e Tërlesit” dhe e mbylli me “Njeriu pa cilësi”, një vepër monumentale, që do të ishte pak të përkufizohej thjesht “roman”. “Njeriu pa cilësi” – “një varg gjigant malor me mjegull dhe i kristaltë, një pavijon i pamasë pasqyrash rrotulluese dhe shtrembëruese”, ku mund të ndjeni në çdo faqe “bisturinë e ftohtë të një vivisektori shumë rigoroz”, është më tepër një enciklopedi e modernitetit, që është edhe roman, edhe ese, një afresk i një epoke dhe një reflektim mbi gjërat e fundit. […] Të gjitha këto karakteristika e bëjnë atë një nga veprat vërtet thelbësore të letrave të shekullit të njëzet.
Bashkohësi i tij, Ingeborg Bachmann, thekson se kryevepra e Musilit ka prishur përfundimisht, marrëdhënien midis egos dhe historisë: nuk është më egoja ajo që vepron në histori, si në romanet e mëdhenj të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por është historia që vepron në ego. Në fakt, te Musil, në vend të egos në kuptimin tradicional të fjalës, ekziston një entitet që nuk mund të përkufizohet më mirë, i tretur në një sërë funksionesh autonome (logjike, njohëse, ekonomike, sociale, instinktive) që nuk mund të gjurmohen përsëri në një qendër të organizuar.
Po kush është njeriu pa cilësi? Dhe mbi të gjitha: pse është “pa” cilësi?
Sepse cilësitë, ndoshta, ekzistojnë ende si pjesë e një Tërësie, por pikërisht nuk ka më një Unë, një Tërësi, e aftë t’i përmbledhë ato. […] Ulriçi magjepsës dhe bishtnues, njeriu pa cilësi, mishëron tipin e përsosur psikologjik të austriakut në perëndim të perandorisë habzburgiane: ai zotëron shumë cilësi, por nuk mund t’i drejtojë ato drejt një qëllimi të saktë, sepse e ashtuquajtura “reale” tani është privuar nga bashkërendimet dhe nuk lejon një zhvillim koherent dhe linear të personalitetit. Ulriç është një individ prej mishi e gjaku, me mendime dhe impulse, por ai është gjithashtu joreal si numri imagjinar “ i ”: një shenjues pa koncept, një jetë pa Jetë. […] Ndërkohë, ndërmjet një digresioni dhe një tjetri, nuk ka pse të ekzistojë veprimi paralele, sepse Austria e vjetër është shembur nën ndikimin e ngjarjeve historike. Komploti thërrmohet në copëza gjithnjë e më të vogla, të cilat tregojnë copëzimin e një realiteti që është i pamundur të riprodhohet pikërisht sepse është potencialisht i riprodhueshëm në infinit. “Njeriu pa cilësi” mbetet i papërfunduar. Më saktë, mbetet e plotë dhe përfundimtare në paplotësinë e tij.
Ka nga ata që shkojnë deri atje sa e krahasojnë “Njeriu pa cilësi” me “Komedinë Hyjnore”, por jo më kot. Vlen të theksojmë një ndryshim thelbësor: në labirintin e pakufishëm të Musilit, që është edhe labirinti ynë, ka vetëm një purgator abstrakt dhe të pakrye. Dhe kjo nuk na lejon të shohim as ngushëllimin dhe as shpëtimin./Konica.al
Gjithçka është e moralshme, vetëm morali jo.