Nga Scott Denning
Ndonjëherë duket se njerëzit e kanë dëmtuar aq shumë Tokën, saqë gjërat janë të pariparueshme. Por planeti ynë është një sistem i jashtëzakonshëm në të cilin energjia, uji, karboni dhe shumë elementë të tjerë rrjedhin dhe ushqejnë jetën. Ajo është rreth 4.5 miliardë vjet e vjetër dhe ka pësuar ndryshime të mëdha.
Në disa pika të historisë së Tokës, zjarret dogjën zona të mëdha. Në epoka të tjera, pjesa më e madhe e saj ishte e mbuluar me akull. Ndërkohë, ka pasur edhe shfarosje masive që zhdukën pothuajse çdo gjallesë nga sipërfaqja e Tokës.
Klima e Tokës ka ndryshuar nga periudha jashtëzakonisht të ngrohta pa akull në zonat polare, deri në fazat kur pjesa më e madhe e planetit ishte e ngrirë. Planeti ynë është shumë elastik dhe dëmet e shkaktuara mund të riparohen me kalimin e kohës.
Por problemi është se sistemet e tij vetë-riparuese janë shumë, shumë të ngadalta. Toka do të rezistojë, por problemet e njerëzve janë më emergjente. Njerëzit kanë dëmtuar sistemet, të cilat garantojnë jetën tonë në shumë mënyra. Ne kemi ndotur ajrin dhe ujin, kemi shpërndarë mbetje plastike dhe mbeturina të tjera nëpër tokë, oqeane dhe lumenj, dhe kemi shkatërruar habitatet për bimët dhe kafshët.
Por ne e dimë se si t’i ndihmojmë proceset natyrore që të pastrojnë një pjesë të mirë të këtyre mbetjeve. Dhe që 50 vjet më parë kur njerëzit nisën të ndërgjegjësohen, ka pasur shumë përparim në këtë aspekt. Por ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur.
Disa ndotës si plastika janë aktivë për mijëra vjet, prandaj është shumë më mirë që të ndalojmë hedhjen e tyre sesa të përpiqemi që t’i grumbullojmë dhe asgjësojmë më vonë.
Dhe zhdukja e shumë specieve është e përhershme. Prandaj mënyra e vetme efektive për ta zvogëluar atë, është të jemi më të kujdesshëm në mbrojtjen e kafshëve, bimëve dhe specieve të tjera. Dëmi më serioz që po i shkaktojnë njerëzit Tokës vjen kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit, e cila e po e ngroh me ritme shumë të shpejta klimën e saj. Djegia e këtyre lëndëve djegëse me bazë karboni, po e ndryshon kiminë dhe fizikën themelore të ajrit dhe oqeaneve. Çdo copë qymyri apo litër benzinë që digjet lëshon në atmosferë dioksidkarboni. Ai e ngroh sipërfaqen e Tokës, duke shkaktuar përmbytje, zjarre dhe thatësira. Një pjesë e dioksidit të karbonit shpërndahet në oqeane duke i bëtë ato më acide, gjë që kërcënon zinxhirin ushqimor të oqeaneve.
Ndryshimet klimatike janë një problem, i cili do të përkeqësohet derisa njerëzit ta ndalin këtëproces. Më pas do të duhen shumë shekuj që klima të rikthehet si në formën që ishte përpara Revolucionit Industrial, kur veprimet njerëzore filluan ta ndryshojnë atë në shkallë të gjerë.
E vetmja mënyrë për të shmangur përkeqësimin e gjërave, është të ndalojmë emetimin e karbonit në atmosferë. Kjo do të thotë se shoqëritë duhet të punojnë shumë për të ndërtuar një sistem energjitik, që mund t’i ndihmojë të gjithë të jetojnë mirë pa pasur nevojë të djegin karbon.
Lajmi i mirë është se ne dimë sesi të prodhojmë energji pa emetuar në ajër dioksid karboni dhe ndotës të tjerë. Energjia elektrike e prodhuar nga energjia diellore, era dhe termocentralet gjeotermale është sot më e lira në histori. Një energji më e pastër mund ta ndalë shumë shpejt përkeqësimin e ndotjes së ajrit nga karboni.
Kjo do të kërkojë makina dhe trena elektrikë, ngrohje, gatim dhe fabrika që punojnë me elektricitet. Po ashtu do të na duhen lloje të reja sistemesh të transmetimit dhe ruajtjes për ta transportuar gjithë këtë energji elektrike të pastër nga vendi ku prodhohet deri në vendin ku do të përdoret.
Pjesa tjetër e ndotjes karbonike mund të pastrohet përmes një menaxhimi më të mirë të fermave dhe pyjeve, që e ruan karbonin nën tokë dhe tek bimët, në vend se ta lëshojë atë në atmosferë.
Ky është gjithashtu një problem, të cilin dinë sesi ta zgjidhin shkencëtarët. Toka me siguri që të riparojë dëmet që i janë shkaktuar, por kjo mund të kërkojë një kohë shumë të gjatë. Mënyra më e mirë për t’ia filluar, është që të gjithë të bëjnë pjesën e tyre për të shmangur përkeqësimin e këtyre dëmeve. / “The Conversation” – Bota.al