MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si trajtohen aksidentet cerebrovaskulare (goditjet në tru)?

09.05.2022 - 10:02

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si trajtohen aksidentet cerebrovaskulare (goditjet në tru)?

Mjeku: Nuk ka një mjekim specifik apo një mjekim të veçantë që, kur të ndodh, t’i japësh një serum, një gjilpërë apo një kokërr të sëmurit. Në asnjë vend të botës nuk ka asnjë lloj mjekimi specifik. Por duhet thënë që mjekësia sot në këtë drejtim përqendrohet në parandalimin.

Këta faktorë rreziku të çojnë në sklerozë, në mbyllje të enës së gjakut ose në ngushtimin shumë të madh të saj. Gjaku qarkullon me vështirësi në këtë enë dhe truri në momente të veçanta do të kërkojë për më tepër ushqim, për më tepër gjak, kjo enë e gjakut është e mbyllur nuk shkon gjaku sa duhet dhe ndodh pastaj aksidenti vaskular.

Nuk ka një mjekim specifik. Ne japim mjekimin në QSUT edhe kudo në qendrat spitalore më tepër për të parandaluar një goditje tjetër, që quhet parandalim sekondar në varësi të shkakut. Kështu, nëse shkak është zemra, përdorim antikoagulantët dhe, nëse shkak janë enët e gjakut ose sëmundja e arterosklerozës që është më e shpeshta, përdorim antiagregantët ku futim aspirinën dhe shumë ilaçe të tjera. Por aspirina është kryesorja dhe më e rëndësishmja. Kështu, këtë aspirinë mund ta përdorin të gjitha spitalet edhe nëpër rrethe që mendohet që nuk ka shërbim shumë të mirë.

Në të gjithë botën këto aksidente trajtohen me një teknikë të re, teknikë që duam ta implementojmë edhe këtu në vendin tonë. Nëse të sëmurët që janë goditur nga një trombozë në tru, domethënë nga një aksident cerebrovaskular ishemik dhe paraqiten në spital brenda 3 orëve të para, kohë në të cilën përgjithësisht mundohemi që të bëjmë ekzaminimet, teknika është që të injektohet një lëndë që quhet tëpazë, një lëndë që arrin ta shkrijë trombën që është krijuar dhe të rivendosë qarkullimin e gjakut edhe në pjesën ku ishte bllokuar. E para shpëtohet jeta, e dyta qarkullimi rinis në tru, shmangen dëmtimet serioze dhe rëndimi i dorës dhe këmbës është goxha minimal, rëndime që më pas falë këtij lloj trajtimi rikuperohen shumë shpejt.

Në Shqipëri nuk e kemi implementuar ende, por po përpiqemi që ta sjellim edhe këtu, por hallkat po kalohen, mënyra e organizimit apo edhe ana financiare. Kjo lëndë kushton pak, por më shumë do të thosha që i kushton shoqërisë ai trajtim për t’i rikuperuar këta njerëz nga goditja, sepse do të harxhohen më shumë me ilaçe, shumë me riaftësim, shumë më shumë për t’i ndihmuar ata që të bëhen të aftë për punë.

Kjo është sëmundja që jep invaliditetin më të madh në botë. Rastet që paraqiten, janë me shtrirje të madhe të moshave, nga moshat e reja 26 vjeç dhe deri te të moshuarit 80-85 vjeç. Aksidentet vaskulare ndodhin përnjëherë. Ka edhe aksidente vaskulare që ndodhin gradualisht, por kur themi gradualisht jo me muaj të tërë, por me orë të tëra.

Ka nga ato aksidente që ndodhin, por për arsye të ndryshme është vendosur sërish qarkullimi i gjakut. Gjaku ka veti të tilla që e shkrin atë koagul gjaku dhe rivendoset qarkullimi i gjakut.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.