Loret Sadiku kthehet sërish në qendër të vëmendjes. Vetëm pak ditë më parë ai mori ftesë me 2 ndeshjet e nëntorit me Shqipërinë. Një futbollist i lindur në Suedi, provuar me Shqipërinë në miqësore, pastaj kaloi me Kosovën, por nuk arriti të zinte vend për shkak dokumentacioni. Tani gjërat kanë ndryshuar sërish…
“Emri i parë që do të bashkohet me Kosovën është Loret Sadiku, të cilit do t’ia përfundojmë dokumentacionin. Sigurisht që ka edhe të tjerë, por e thashë, Loret Sadikun pasi na ka mbetur peng nga ato ndeshjet miqësore. Pastaj ishte gjendja e tij e keqe në dokumentacion, që do të marrin një rrugë tani”, – u shpreh Ademi.
Në pamje të parë, nuk ka asgjë të keq, fundja do të luajë për vendin e tij të origjinës, e ndjen më shumë për të luajtur me Kosovën dhe është zgjedhja e tij. Por ajo që të bën përshtypje në këtë histori është dyfytyrësia e Loretit, pasi lajmëroi trajnerin Panucci që ishte i dëmtuar.
Shqipëria humbi një lojtar në grumbullim për shkak të Sadikut, pasi nëse nuk do të ishte llogaritur ai, do të ftohej në kohë një tjetër. FSHF doli me tezën se ai nuk ishte gati, ndërsa duket se “lepuri ka fjetur në tjetër vend”.