MENU
klinika

Melankolia e shpirtit

“Magjiploti”, i adhuruari Shatobrian!

13.05.2022 - 18:35

         E donin të gjithë, nga djaloshi Flober (madje, së bashku me mikun e tij, Du Camp, shkuan për pelegrinazh në kështjellën e Combourg në Brittany), te Teofil Gotie dhe Sharl Bodëler, nga Viktor Hygo te Marsel Prust (që njihej si perceptimi më i kompletuar dhe më i thellë i “kohës së humbur”, si një element përbërës i gjendjes njerëzore), nga Zhan Pol Sartrë për të madhin Luis-Ferdinand Selin, të cilit i kishte dorëzuar një kopje kur ishte në mërgim në Danimarkë. Megjithatë, fjalët më entuziaste mbeten ato të Floberit: “Mes rrënojave të bindjeve të tij, së fundmi ai do të dëshmojë lavdinë sikur të kishte qenë tashmë mes të vdekurve./Konica.al

Portrait de François-René de Chateaubriand par Anne-Louis Girodet. (Photo by API/Gamma-Rapho via Getty Images)

I lindur në epokën e rënies së një shoqërie dhe agimit të një shoqërie tjetër, ai u bë urë kalimi për të përmbledhur shpresat dhe kujtimet e saj. Është ai që para së gjithash, para Bajronit, shqiptoi britmën më të egër të krenarisë, shprehu dëshpërimin më të frikshëm. “Kujtimet nga përtejvarrit” të Fransua Rene dë Shatobrian kanë shënuar vërtet thellësisht breza të tërë shkrimtarësh, në Francë dhe më gjerë. Mund të thuhet se i kanë “sëmurur”. Më shumë se me “Rrëfimet” e Rusoit, me këtë libër të jashtëzakonshëm është monumental, në shumë mënyra të papërcaktuara, që letërsia moderne fillon të tematizojë subjektin/objektin më të rrëshqitshëm dhe të pakapshëm: uni, individi, formimi i tij në histori dhe me historinë, mbrujtjen e brendshme dhe në përballjen me botën. “Shpesh njerëzit gjenialë e kanë lajmëruar fundin e tyre me kryevepra. Është shpirti i tyre që ikën”, – shkroi Andre Morua, më i mprehti dhe më i ndjeshmi nga biografët e tij të shumtë.

Shatobrian, i lindur në Shën Malo më 4 shtator 1768, vdiq më 4 korrik 1848 në Paris, në moshën 79-vjeçare. Politikan, shkrimtar, filozof, historian e shumë të tjera, Shatobrian me jetën dhe veprën e tij kaloi momentin vendimtar në historinë franceze, evropiane dhe botërore, por, kur vdiq në Paris, qyteti ishte në revolucionin e njëmbëdhjetë dhe askush ose pothuajse, nuk e vërejti vdekjen e tij. Te koka e shtratit të vdekjes ishte një sënduk, brenda “Kujtimet e botës së përtejme”, një memorial që është gjithashtu një epistolar, histori udhëtimesh të shumta në çdo anë të botës, një ese historike dhe në të njëjtën kohë një reflektim filozofik, një traktat mbi politikën e shkruar nga ata që e kanë përjetuar vetë politikën dhe njëherazi një përballje e ndërgjegjes së tyre pranë vdekjes. Është vepër e vite e viteve jete, e konceptuar më 1811, e përfunduar dy vjet para se të vdiste, më 1846. Kur Shatobrian shkroi kujtimet e tij, ai ndjen se kishte mbijetuar vetë, kohën e tij, epokën e tij. Si rrjedhojë, vështrimin e kthehen përherë nga e tashmja në të shkuarën, në përpjekje për të gjetur një vazhdimësi që kapërcen dhe njëkohësisht mban të bashkuar zhvillimin historik dhe konkretizimin e jetës individuale. Këtu është edhe arsyeja pse të tijat janë “kujtime të jetës së përtejme”, sepse janë shkruar në brendësi të një perspektive që ndodhet tashmë jashtë jetës dhe pikërisht përtej jetës. Vazhdimësia me shumë mundësi nuk ekziston, nuk jepet, por është pikërisht kjo perspektivë (historia e një jete, si pamundësia e po asaj historie) që u jep faqeve të Shatobrianit, jo vetëm një bukuri të përjetshme, por edhe një kthjelltësi melankolike dhe të zhgënjyer.

“Magjiploti”, i adhuruar nga gra të shumta, njeriu që jetoi monarkinë, revolucionin, terrorin dhe restaurimin, duke përjetuar njëra pas tjetrës të gjitha fazat e rënies dhe zhdukjes së botës së vjetër, çfarë i ripërshkon në faqet e librit me saktësi absolute dhe pa asnjë vetëkënaqësi, ai gjithashtu arrin të shikojë drejt së ardhmes me një largpamësi që sot, pak më pak se dy shekuj më vonë, vërtet na bën të rrëqethemi: “Shoqëria moderne tani është në rënie. Jemi të dobët, sepse jemi në ecuri zbritëse. Sa shpresa varur te talente dhe personalitete, janë zhgënjyer! Nëse do të largosh tridhjetë burra me të vërtetë të denjë, që grumbullojnë breza të shthurur, të pasuksesshëm, të pakënaqur, që hidhen pas parave dhe detyrave, si i varfri para ushqimit falas. Jemi vetëm gjenerata kalimtare, të ndërmjetme, të zymta, të destinuara në harresë”. Gjithçka përfundon me një pasthirrmë thuajse të Dhiatës së Vjetër, që, jo çuditërisht, i pëlqeu shumë të ndjerit Guido Ceronetti dhe përmbys perspektivën (“mërzi”, neveri e jetës “para jetës”) të paralajmëruar në kryeveprën rinore “Rene”, “livre de chevet” i një brezi të tërë, i nderuar veçanërisht nga Floberi i “Nëntorit” dhe “Edukimit sentimental”: “Burra që e doni lavdinë, kujdesuni për varrin tuaj, pozicionohuni mirë, përpiquni të na bëni përshtypje të mirë, sepse do qëndroni gjatë”./Konica.al

Kujtimet e Shatobrianit janë pikërisht ky lloj kujdesi parandalues ​​për varrin e tij ose më mirë, për jetën e përtejme në jetë, që fillimisht, vetë Shatobriani mendoi ta kalonte në Lugano, siç mund të konkludohet nga tregimi i një udhëtimi në Zvicër në 1832: “Malet që rrethojnë liqenin e Luganos më kujtuan hijeshinë, formën dhe bimësinë e arkipelagut të Azores. A do ta kisha përmbyllur atëherë mërgimin e ditëve të mia të fundit nën ato arkadat e qeshura, në të cilat princesha e Belgioioso la të prehen disa ditë nga mërgimi i rinisë së saj? A do t’i kisha përfunduar pra “Kujtimet” e mia në hyrje të asaj toke klasike dhe historike, ku kënduan Virgjili dhe Tasso dhe ku kanë ndodhur kaq shumë revolucione? A do ta kisha kujtuar fatin tim breton me pamjen e atyre maleve Ausonie? Dhe në kthimin tim nga udhëtimi, në një letër drejtuar mikut tim Hortense Allart: “Në Lugano u tundova të merrja me qira një vilë magjepsëse, ku kishte jetuar princesha Belgioioso dhe të varrosesha atje, në mes të furtunave”.

La tombe de l’écrivain français François-René de Chateaubriand, sur l’île du Grand Bé, à Saint-Malo, en Ille-et-Vilaine, circa 1970, France. (Photo by Jean-Guillaume GOURSAT/Gamma-Rapho via Getty Images)

Në të vërtetë, Shatobriani do të përjetojë “jetën e përtejme” në Paris dhe pas vdekjes, do të varroset në ishullin “Grand Bé”, pranë vendlindjes Shën Malo: “Një shkrimtar i madh francez ka zgjedhur të pushojë këtu, për të mos dëgjuar gjë tjetër përveç detit dhe erës”, – thuhet në pllakën e vendosur pranë varrit. Autori i “Rene” – libri i jetës, si një mirazh dhe i dorëzimit, si një zgjedhje ekzistenciale, në një botë tani pa ëndrra – e dinte se kështu do të ndodhte. Dinte gjithashtu, se “pasionet e paqarta” do të bëheshin më vonë “e keqja e shekullit”. Ndoshta, këtë e kishte kuptuar pikërisht në Lugano, në vitin fatal 1832: “Po të ngrihej perdja e atyre maleve, do të më kishte zbuluar fushat e Lombardisë. Dhe përtej atyre fushave, Roma dhe më pas, Napoli dhe pas tyre Siçilia, Greqia, Siria, Egjipti, Kartagjena: brigje të largëta që i kam matur me hapat e mi, unë që nuk zotëroj rripin e tokës që shkel! Megjithatë, të vdesësh këtu? Të përfundosh këtu?” ./Konica.al

 

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen