MENU
klinika

Albert Çaçi

Aleati problematik

21.11.2018 - 15:48

Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme kanë sjellë komplikime serioze duke e vënë në vështirësi SHBA-në. Aleati kryesor gjeopolitik, Arabia Saudite, ka krijuar së fundmi me çështjen Khashoggi një situatë shumë të sikletsshme dhe me pasoja shumë serioze për gjithë skakierën gjeopolitike të Lindjes së Mesme.

Tre aleatët ku SHBA e kishin mbështetur gjithë politikën në  Lindjen e Mesme ishin Israeli, Turqia dhe Arabia Saudite.

Israeli për vetë historinë e tij është një aleat shumë i komplikuar dhe praktikisht nuk ka asnjë aleat në Lindjen e Mesme, pasi gjithë bota arabe si sunite por edhe shite  është në armiqësi për shkak të konfliktit 70-vjeçar me Palestinën.

Turqia, vendi mysliman sunit ,por jo arab, si një vend i NATO-s, përpara konfliktit në Siri konsiderohej si aleati më besnik i SHBA-së, sidomos në termat gjeopolitikë dhe ushtarakë, sidomos për konfrontimin me Rusinë.

Por Turqia  3 vitet e fundit ka dalë nga linjat dhe sillet në mënyrë asimetrike dhe jashtë kontrollit.

Bën aleancë me Rusinë  dhe Iranin për Sirinë duke sfiduar SHBA-në, blen S-400 tek Rusia duke sfiduar NATO-n, mban marrëdhënie miqësore me Iranin duke sfiduar gjithë Perëndimin.

Shkurt edhe ky është bërë një aleat i bezdisur dhe shumë problematik.

Por aleati jashtëzakonisht i veçantë ishte Arabia Saudite pasi këtu ndërlidheshin një kompleks faktorësh si politikë, ekonomikë dhe ushtarakë dhe gjeopolitik. Dhe pikërisht ky aleat  tani sjell komplikime serioze në gjithë Lindjen e Mesme.

1- Arabia Saudite konsiderohet sot si vendi udhëheqës i botës arabe. Aty ndodhet vendi më i shenjtë i Islamit Meka dhe gjithë bota myslimane, jo vetëm e Lindjes së Mesme shikon tek ajo një lider fetar.

2- Arabia Saudite është një fuqi financiare botërore për shkak se është eksportuesja më e madhe e naftës në botë dhe gjithë politika e Petrodollarëve rrotullohet rreth saj dhe  financat amerikane janë shumë të interesuara për to.

3- Saudët  kanë  një  peshë fondamentale  politike pasi ata influencojnë gjithë politikën e Lidhjes Arabe dhe të OPEK-ut duke u bërë një pikë referimi e pazëvëndësueshme.

4- Arabia Saudite është një gur shumë i rëndësishëm në skakierën gjeopolitike. Duke qenë se pas tërheqjes së Egjiptit (një tjetër ish-aleat i SHBA për 30 vjet, por  që është tërhequr pasi u ndje i tradhëtuar për çështjen Mubarak dhe mbështetjen e Vllazërisë myslimane) ajo sot udhëheq gjithë arabët sunit në një konfrontim pa precedencë historike kundër bllokut Shia Teheran-Bagdat-Damask-Hesbollah.

Dhe pikërisht për shkak të kësaj peshe, SHBA e ka mbështetur për gjithçka politikën e Mbretërisë Saude, madje  e ka toleruar jashtëzakonisht si asnjë aleat tjetër në botë, ndoshta me përjashtim të Israelit.

SHBA mbështeti fuqishëm ardhjen në pushtet të princit të ri 31-vjeçar Muhammad Bin Salman, duke parë tek ai një personazh me një vizion të ri për reformat, në një nga shtetet e pakta në botë pa pluralizëm politik. Gjithashtu vizioni i tij gjeopolitik, sidomos në marrëdhënie me Israelit iu duk shumë premtues, por edhe vendosmëria e tij për të udhëhequr bllokun sunit kundër Iranit.

 Trump e mbështeti personalisht në vizitën e fundit në Riad duke menduar se ky ishte personi  i duhur për të transformuar gjithë Lindjen e Mesme, sidomos që tashmë u shfaq përsëri Rusia. Por të gjithë gabuan.

Princi i ri nisi luftën në Jemen me bindjen e plotë se brenda 3 muajve gjithçka do të ishte zgjidhur. Por lufta nga asimetrike u shndërrua në luftë pozicionesh dhe pas tre viteve situata ushtarake ndodhet e bllokur dhe aftësitë luftuese të saudëve janë vënë në dyshim. Kjo luftë ka sjelle mjaft viktima civile, sidomos fëmijë, dhe vendi më i varfër i botës ndodhet i shkatërruar dhe në prag të epidemive.

Tashmë gjithçka është qartësuar përpara opinionit ndërkombëtar, masakrat nuk mund të fshihen më, dhe SHBA, nëpërmjet Ministrit të Mbrojtjes Mattis, kërkojë urgjentisht që t’i jepet fund luftimeve brEnda këtij muaji duke kërkuar një zgjidhje politike.

Po kështu nisi një konflikt ndaj Katarit, sfidues sipas tij, duke i vendosur një bllokadë totale dhe po planifikonte seriozisht për ta pushtuar ushtarakisht, duke sjellë komplikime të jashtëzakonshme, pasi në mbrojtje të Katarit mund të hynte  Turqia por edhe Irani dhe konflikti mund të përfshinte gjithë Lindjen e Mesme duke dëmtuar interesat amerikane. U  desh ndërhyrja e fuqishme e ish-Ministrit të Jashtëm Tillerson për ta frenuar princin që me sa dukej nuk kishte një qasje normale me realitetin.

Më vonë mbajti të bllokuar për 2 muaj Haririn, kryeministrin e një vendi sovran si Libani, duke habitur gjithë botën dhe duke e vënë perëndimin në një situatë mjaft të vështirë. Po kështu arrestoje disa  princat saudite që ishin kundërshtarë të tij politikë. U deshën negociata të fuqishme mbrapa kuintave për ta çbllokuar këtë situatë të paprecedent.

Për të gjithë u bë e qartë brenda 3 viteve se ky 31-vjeçar kishte një vështrim asimetrik me realitetin dhe se nuk e përballonte dot rolin e një udhëheqësi  në një skakierë mjaft të komplikuar siç është Lindja e Mesme.

Por askush nuk e priste që princi do ta kalonte pikën e moskthimit. Vrasja barbare e gazetarit të Washington Post, Khashoggit në Stamboll kaloi çdo lloj imagjinate dhe ky personazh nuk mund të mbrohej më.

CIA i konfirmoi Presidentit amerikan dinamikën e kësaj vrasje dhe për SHBA u bë e qartë se me Muhammad bin Salman nuk mund të ecet më përpara, pasi pesha e rëndë e kësaj ngjarje do të kompromentojë veprimet e së ardhmes  që edhe pa këtë janë  shumë të komplikura.

Qeveria amerikane për herë të parë në historinë e marrëdhënieve me Arabinë Saudite po mendon të vendosë sanksione ndaj 17 personave të implikuar në këtë vrasje.

Natyrisht që situata e komplikuar në Lindjen e Mesme dhe sidomos rikthimi i Rusisë në mënyrë sfidante në Siri dhe më gjerë, nuk mund të lejojnë që SHBA të braktisë Arabinë Saudite pasi boshllëku që ajo mund të krijojë do të jetë me pasoja të rënda gjeopolitike por edhe ekonomike dhe financiare.

Por siç duket duket tashmë qartë, SHBA nuk mund të vazhdojë marrëdhënie normale me Arabinë Saudite nën drejtimin e Muhammad bin Salman, kështu që zëvendësimi i tij mund të ishte zgjidhja më optimale edhe pse jo  e shprehur zyrtarisht.

A do ta kuptojë dot Arabia Saudite që për të garantuar sigurinë e saj dhe të ardhmen ky personazh duhet zëvendësuar apo Muhammad bin Salman në këto tre vite ka konsoliduar një pushtet të fuqishëm dhe kontrollon gjithë situatën politike dhe të sigurisë në Mbretëri?

Kjo do të jetë një përgjigje  shumë e vështirë dhe nga mënyra se si do të zgjidhet, do të varen një sërë ngjarjesh  jo vetëm në Arabinë Saudite, por pa dyshim edhe në  gjithë Lindjen e Mesme.

Një gjë është shumë e qartë. Sot Arabia Saudite është kthyer në një aleat shumë problematik për SHBA që po i krijon shumë komplikacione në gjithë rajonin.

Aq më tepër në momentin kur SHBA sapo ka nisur një konfrontim ballor me Iranin dhe  roli i Arabisë Saudite do të ishte primar qoftë në rritjen e prodhimit të naftës  për të kompensuar rënien e eksportit iranian por edhe për të mobilizuar gjithë frontin sunit në një bllok antiiranian.

 Ndoshta Mbreti Saud  82-vjeçar Salman Abdylaziz (zyrtarisht Mbreti akoma nuk ka abdikuar, vetëm se ka përcaktuar dhe transferuar një pjesë të pushtetit princit trashgimtar të  fronit) mund ta ketë akoma forcën që ta bindë të birin për tu larguar dhe zëvëndësuar me një nga trashëgimtarët e tjerë, duke i dhënë saudëve një imazh të ri, dhe   duke larguar hijet e dyshimeve shumë të rënda  që kjo vrasje ka shokuar gjithë opinionin publik botëror.