MENU
klinika

“Kupat me kalimin e kohës i zë pluhuri, por sot…”

Veliaj apel tifozëve: Dua që t’i lënë mënjanë zënkat

24.05.2022 - 12:15

Tirana nesër do të mirëpresë finalen e madhe të Ligës së Konferencës në orën 21:00, ku do të sfidohen Roma dhe Fejnordi. Gjatë ceremonisë së prezantimit të trofeut të këtij kompeticioni të ri të UEFA-s, së bashku me ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka folur për këtë event të rëndësishëm për Shqipërinë:

“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Tiranës për një mikpritje fantastike atyre që kanë ardhur nga Roterdami dhe nga Roma. Shpresoj që të kaloni sa më mirë dhe të fitojë më i miri. Është një shprehje e famshme që kupat me kalimin e kohës edhe i zë pluhuri, por kujtimet mbeten përgjithmonë.

Qëllimi i këtij eventi i organizimi në Tiranë bashkë me FSHF-në bashkë me yjet e futbollit shqiptar është që kujtimet ti kemi përgjithmonë. Qyteti është i përfshirë dhe kemi rënë dakord me FSHF-në që këtu në shesh do të jetë Fan Zona neutrale.

Fan Zona e Fejnordit do të jetë te Pedonalja e Tiranës. Edhe ata që nuk kanë biletë që kanë ardhur nga Roma apo Roterdami le të vijnë te Fan Zona-t përkatëse. Për tifozat e Romës do të jetë te Liqeni i Tiranës.

Në Tiranë do të vijnë gjithashtu do të vijnë dy kryebashkiakët e Romës dhe të Roterdamit. Do të dalim në një deklaratë të përbashkët për t’i treguar qytetarëve që vijnë nga Roma dhe Roterdami se i respektojmë si miq, por duam që edhe ata të respektojnë Tiranën. Dua që t’i lënë mënjanë zënkat, por duam që në finale qyteti, qetësia të ruhet.

I falënderoj ata që kanë hapur shtëpitë atyre që nuk kanë gjetur vende në hotele. Ashtu siç e tha dhe presidenti Duka, shpresoj shumë ato që kanë ardhur për herë të parë në Tiranë, vetëm si tifozë. Le të vijnë sërish si turistë me familjet dhe me miqtë e tyre.

E vlerësoj shumë faktin që shumica e qytetarëve po udhëtojnë në këmbë, me biçikleta apo me autobus, çdo njeri që na ndihmon për të ulur pak trafikun na ka bërë një nder të jashtëzakonshëm.

Edhe presidenti Duka, unë apo edhe Loriku jemi shumë mirënjohës çdo qytetari që bën të voglën e vet që të dalim mirë nga kjo histori. Tirana jonë, imazhi i Shqipërisë dhe reputacioni i gjithë popullit shqiptar të shkojë lart e më lart.”, përfundoi Veliaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN