Një nga momentet më të veçanta të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit ishte koreografia speciale që kishte përgatitur tifogrupi “Tifozët Kuq e Zi”. Një banderolë gjigante u shpalos pas porte teksa në të dallohej personazhi i famshëm nga filmat e animuar të Simpson.
Këta të fundit njihen për parashikimet e tyre të cilat koha i ka provuar si të vërteta dhe në idenë e TKZ shfaqej parashikimi i Simpson për realizimin e Shqipërisë së Madhe , “United States of Albania”.
Një banderolë mjaft e gjetur nga TKZ, e cila nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga mediet serbe nisur nga Kurir, te Telegraf dhe Informer që e cilësojnë si skandaloze këtë koreografi.
Në mediet serbe theksohet se nuk mund të reklamohet kaq hapur Shqipëria e Madhe, ndërsa ngrenë zërin edhe kundër thirrjeve pro UÇK-së në stadium.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë kur mediet serbe ankohen dhe kërkojnë vëmendje nga ajo që ndodh në stadium kur luan Shqipëria, ndërsa pretendojnë tashmë që UEFA të marrë masa pas një koreografie të tillë.