MENU
klinika

Kryebashkiaku pret Qerimajn dhe Velin

Veliaj: Mbështetje dhe shpërblim për kampionët tanë

21.06.2022 - 14:21

Kryebashkiaku Erion Veiaj priti në një takim dy kampionët e Europës në peshëngritje, Erkand Qerimajn dhe Evangjeli Velin. Dy sportistët e Klubit Sportiv Tirana, Qerimaj dhe Veli, do të nisen sot në Lojërat Mesdhetare në Algjeri “Oran 2022”.

“Është kënaqësi e veçantë të pres dy miq të jashtëzakonshëm, Erkandin dhe Evangjelinë, të cilët na bënë krenar edhe në këtë Kampionat Europian të Peshëngritjes. Ata janë jo vetëm sportistë të Klubit të Tiranës, por mbi të gjitha, shkojnë përtej ngjyrave bardhë e blu, sepse përfaqësojnë ngjyrat kuq e zi të Shqipërisë. Ne duhet të shpërblejmë talentin, që më pas, edhe të tjerët të aspirojnë të bëhen më të mirët dhe të punojnë fort’, tha Veliaj.

Kryebashkiaku përmendi se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për shpërblimin e sportistëve tanë elitarë, si një motiv më shumë për të sjellë medalje të tjera për Shqipërinë.

Kampioni i Europës, Erkand Qerimaj u shpreh i gëzuar për arritjen fantastike në kampionatin e fundit dhe siguroi se nuk do të mungojnë medaljet e tjera.

“Jam shumë i gëzuar për këtë rezultat dhe falenderoj kryetarin e Bashkisë, Presidentin, pasi është bërë një punë e madhe me organizimin e kampionatit Europian, por edhe për mbështetjen e sportistëve elitarë të klubit të Tiranës. Këto medalje treguan se investimet ia vlejnë dhe duhet më tepër për Botërorin, për Lojërat Olimpike, që të sjellim medalje të tjera për Shqipërinë”, nënvizoi ai.

Kampionia Evangjeli Veli apeloi për pjesëmarrje më të madhe të të rinjve në sport: “Mbështetja juaj ka treguar punën time, por edhe mbështetja e Federatës. Unë do të sjell sa më shumë medalje në Shqipëri. Hera e parë që Shqipëria po merr edhe kupën si sportistja më e mirë, jo vetëm si sportiste e Tiranës, po si sportiste e Europës. Shpresoj të jem një model i mirë për vajzat dhe fëmijët e Shqipërisë që të futen në sport”.