“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Cilat janë simptomat më të shpeshta të artritit reumatoid?
Mjeku: Shenjat fillestare janë shenja jospecifike e që mund të jenë të përbashkëta më shumë sëmundje të tjera, si: lodhje, dobësi të përgjithshme, mungesë oreksi, dhimbje muskujsh, temperaturë e lehtë, më e shprehur mbasditeve e që nuk shoqërohet me ethe.
Pas kësaj periudhe me shenja të ngjashme me të një sëmundjeje gripale,fillojnë e shfaqen shenjat specifike për artritin reumatoid, dhimbje dhe enjtje kyçeve, ku mbizotërojnë prekjet e kyçeve të vogla të duarve, bërrylave, gjunjve. Dhimbjet janë të karakterit inflamator që nënkupton që janë të pranishme në qetësi, shqetësojnë gjumin natën, shoqërohen me vështirësi në aktivitetin e përditshëm jetësor, shumë pacientë thonë se kanë një ulje në fuqinë e duarve e punë që më parë i bënin me shumë lehtësi, gjatë zhvillimit të sëmundjes nuk arrijnë dot t’i kryejnë si më parë.
Një shenjë tjetër e përbashkët në shumë sëmundje reumatizmale inflamatore është ngurtësimi mëngjesor ose ngurtësimi artikular që nënkupton vështirësinë që ndjen pacienti në lëvizje pas qëndrimit për një kohë relativisht të gjatë pa lëvizur, e kjo lidhet me edemën që krijohet përrreth artikulacioneve në qetësi e në momentin që fillon lëvizja likidi i extravazuar ripërthithet nga enët e gjakut. Ngurtësimi për të qenë sinjifikativ duhet të zgjasë më tepër se 30-45 minuta. Sigurisht që një pacient që diagnostikohet me artrit reumatoid e ka të domosdoshëm kontrollin e vazhdueshëm edhe për prekjet ekstra-artikulare, si kontrollin e vazhdueshëm të syve, aparatit kardiovaskular, sistemit endokrin, mushkëritë etj.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.