Njujorkez i lindur, i birësuar si londinez, por më shumë rëndësi është se Henri Xhejms, i cili vdiq më 28 shkurt 1916, ishte një lirik i madh i kohës së tij. Aq sa kritikë të ndryshëm, disa vite më vonë, i riinterpretuan personazhet e veprave të tij, si ikona të epokave të tëra, mishërime të kulturave të tij bashkohore dhe metafora të sferave shoqërore të së shkuarës. Jo më kot e cilësuam si amerikan dhe anglez. Shpesh, shkrimet e tij fokusohen në kontrastin midis butësisë dekadente të botës së vjetër dhe energjisë vitale të së resë. Të paktën, kështu ishte në kohën e tij!/Konica.al
Henri Xhejms, djali i një filozofi teolog, vëllai i një psikologu dhe një shkrimtareje, ishte formësuar me kryeveprat e letërsisë angleze, amerikane, franceze, italiane, gjermane dhe ruse, duke i lexuar të gjitha në gjuhën origjinale, përveç dy të fundit, kësisoj nuk është për t’u habitur, nëse në qendër të romaneve dhe tregimeve pak a shumë të shkurtër, ai vendosi konfliktin, ndërgjegjen dhe moralin si tema kryesore dhe sugjerime për të reflektuar, duke i ndarë frymëzimet e tij mes amerikanit Hawthorne, francezit Balzak dhe rusit Turgenjev. Në romanin e tij më të njohur, “Portreti i një zonje”, botuar në pjesë midis 1880 dhe 1881, tashmë tema e konfliktit të brendshëm, e cila ngrihet në një alegori të kohës, shfaqet mbizotëruese. Izabela është një grua e re, në një dilemë të përjetshme midis qëndrimit dhe udhëtimit, mes dashurisë e mungesës, midis lirisë dhe ndjenjës së detyrës, të gjithë elementëve që mbeten në brendësi të saj dhe përvijojnë karakterin, si bijë e kohës dhe hapësirave të saj.[…]
Siç ndodh rëndom, në përgjithësi krijimtaria e një autori mund të kuptohet vetëm duke u thelluar në përvojën e tij. Dhe këtu, përsëri, konflikti kthehet në apogje. Për shembull, sa i përket orientimit seksual të Henri Xhejmsit, i ngritur nga shumë kritikë. Sigurisht, ne dimë se ai nuk u martua kurrë dhe sipas disave kjo zgjedhje ishte rezultat i një homoseksualiteti të njohur dhe dukshëm i vetëshprehur. Apo ajo për dashurinë për atdheun, që i shkaktoi edhe një atak në zemër dhe si pasojë, vdiq tri muaj më vonë. Shpërtheu lufta e Parë Botërore dhe mosndërhyrja amerikane e shtyu Xhejmsin të aplikonte për nënshtetësinë angleze, një rezidencë që tani e kishte zgjedhur si të tijën prej shumë vitesh. Mund të flasim edhe për konflikt midis gjuhës koncize, të ashpër dhe të drejtpërdrejtë të veprave të hershme dhe asaj baroke të kohëve të fundit. Ai ishte një nga autorët më pjellorë në historinë e letërsisë. Mes romaneve, tregimeve, kritikave letrare, letërsisë së udhëtimit, biografive dhe autobiografive, në total shkroi njëzet e dy romane, dy të papërfunduar, si dhe 112 tregime të shkurtra dhe të gjata, po edhe disa drama dhe një numër shumë të madh esesh dhe artikujsh kritikë, ku një nga tezat më të akredituara ia atribuon problemit të disleksisë së tij. Në fakt, për ta kapërcyer atë, Henri Xhejms do të mësonte të fliste ngadalë dhe me një gjuhë që ishte gradualisht më e përpunuar, të cilën ai do ta transferonte më pas në librat e tij, duke e rafinuar më tej, megjithëse do ishte i vrazhdë dhe i ashpër për kritikuesit e tij. Gjithsesi, e freskët dhe e menjëhershme është “Korrespondenca e Aspernit”, një nga tregimet e shkurtra, më të gjata dhe më të njohura të autorit, botuar në 1888. Në një Venecie dekadente, historia e një kritiku letrar amerikan cinik, i gatshëm të bëjë gjithçka për të përvetësuar letrat legjendare të shkruara nga vetë poeti Jeffrey Aspern, aq sa të marrë me qira një dhomë në ndërtesën e prishur ku jeton zonjusha Juliana, një pasion i lashtë i poetit tepër të gjallë, pavarësisht se kishte kaluar një shekull nga vdekja e tij. Përmes një narrative psikologjike, veprat e tij janë bërë referencë për shumicën e shkrimtarëve modernë.
“Mos i jepni shumë peshë optimizmit dhe pesimizmit; përpiquni të kapni ngjyrimin e vetë jetës.[…] Mos harroni se detyra juaj e parë, është të jeni sa më të kompletuar – dhe ta përsosni veprën. Jini dorëlëshuar, jini të vëmendshëm dhe aspironi për çmimin”./Konica.al