Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 37-vjeçarin Maringlen Muhametaj, i cili ekzekutoi dy ditë më parë babain e tij në fshatin Greshicë të Mallakastrës.
I vetëm dhe i braktisur nga familjarët, 37-vjeçari mbërriti rreth orës 08:30 në ambientet e gjykatës së Fierit i rrethuar dhe nga forca të shumta sigurie.
Ai u njoh me masën e sigurisë, ndërsa akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Prokuror i çështjes ishte magjistrati Andi Pogaçe, ndërsa gjyqtare Sonila Hoxha. Avokat i Mariglen Muhametaj u caktua kryesisht nga gjykata.
Kujtojmë se 37-vjeçari ekzekutoi me sende të forta babain e tij Qemal Muhametaj, pas një sherri në familje. Më pas ai u arratis, për tu arrestuar më pas të premten nga policia. Në dëshminë e tij i riu nuk ka shfaqur pendesë për krimin e kryer.